Gjilan

Emini-Kurteshi: “Flaka e Janarit” është manifestim që e identifikon Gjilanin në aspektin kulturor

Gjilan, 19 nëntor / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), sot, nën drejtimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-rregulloren për tatimin në pronë për vitin 2020, harmonizimin brenda kategorisë së pagave në Komunën e Gjilanit, propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për ngritjen e shtatores së heroit “Agim Ramadani”, propozim-projektin e përgjithshëm të manifestimit “Flaka e Janarit” 2020 si dhe informatën rreth PZHK dhe Hartës Zonale të Komunës.

Komiteti, në mënyrë unanime e ka rekomanduar propozim-projektin e manifestimit “Flaka e Janarit” 2020, që e ka prezantuar Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, e cila ka thënë se tashmë është themeluar bordi dhe grupet punuese si dhe janë dorëzuar projekt-programet për secilën shtyllë të manifestimit.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me interesimet e opozitës, Nevzad Isufi (LVV) e Riza Abdyli (PDK), rreth anës financiare si dhe konceptit të manifestimit, që siç u tha, ende mbetet sikurse në vitet e nëntëdhjeta, drejtoresha Limani tha se “Flaka…2020” do të ketë disa ndryshime cilësore te secila shtyllë e saj, prandaj është rritur pak edhe kostoja.

Ajo ka premtuar se të gjitha faturat e manifestimit do të sillen në Kuvend për diskutim të secilit shpenzim.

Kurse Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, tha se ”Flaka e Janarit” është manifestim unik kulturor, i cili mbështetet në katër shtyllat e tij kryesore që prej fillimit dhe nuk mundet

kurrsesi të tjetërsohet, sepse vetëm si i tillë e identifikon Gjilanin. Synim i përhershëm mbetet ngritja e cilësisë, ka shtuar ajo.

Sa i përket rregullores së tatimit në pronë, sqarime ka dhënë drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi, i cili tha se nuk ka ndryshime prej viteve të kaluara, duke nënvizuar faktin se Gjilani është komuna e vetme në Kosovë që ka normën më të ultë tatimore.

Kurse në lidhje me propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për ngritjen e shtatores së heroit “Agim Ramadani”, ku opozita pati vërejtje rreth procedurave, Maliqi tha se në rastet si ky, ku Komuna bashkëfinancon me një shumë të caktuar, sipas kërkesës së Këshillit Lokal të Zhegrës, që është organizator, nuk parashihen procedura të prokurimit.

Bakim Bajrami, drejtor për Urbanizëm, sqaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje ndërmjet Komunës, Këshillit Organizativ, OVL dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për zhvendosjen e shtatores ekzistuese nga qyteti në Zhegër dhe vendosjen e shtatores së re, në vend të saj, për çka Komuna është treguar e gatshme të participojë me 40 mijë euro.

Sa i përket planit zhvillimor komunal dhe hartës zonale dokumenti, Bajrami tha se për hartimin e këtij dokumenti janë respektuar të gjitha procedurat, përfshirë edhe debatet dhe dëgjimet publike.

You Might Also Like