Shkruan: Enver Sadiku
FC Drita ka realizuar gjysmën e synimit të saj që e pati nga fillimi dhe i mbetet edhe gjysma tjetër e rrugës për t’u shpallur kampione e stinorit 2024/2025. Ekipi bardh e kaltër nga Gjilani, më së gjati nga ekipet kosovare kishte vazhduar rrugëtimin në Evropë, andaj pjesën më të madhe të stinorit vjeshtor, djelmoshat e Zekirija Ramadanit nuk e kaluan në vendin e parë, ngase kishin ndeshje më pak të zhvilluara në krahasim me ekipet tjera, por kur Drita i kreu ndeshjet e mbetura doli bindshëm e para, aty ku do të dimërojë, me shtatë pikë dallim më shumë se përcjellësi i parë, Ballkani nga Suhareka.
Në përfundim të stinorit vjeshtor doli se drejtuesit e Dritës kishin bërë afrimet më të qëlluara në ekip, ngase sollën lojtarë pikërisht aty ku u duheshin, duke bërë një konkurrencë të shëndoshë në çdo repart, fond të mjaftueshëm të lojtarëve dhe mundësi ndryshimesh në çdo kohë, andaj kryetrajneri Zekirija Ramadani e shfrytëzoi si është më së miri pasurinë që e kishte dhe gjithnjë i bindur se në fund Drita do të dal e para ia arriti qëllimit.
Me urti, duke mos u ekspozuar së tepërmi nëpër medie, por gjithnjë të matur në prononcimet e tyre në konferencat e tyre që gjithnjë i organizuan para ndeshjeve , bardh e kaltrit vargonin sukseset javë pas jave e vilnin pikë të çmueshme dhe tash shkojnë në pushimin dimëror dukshëm më të qetë se ekipet e tjera.
Po cilat janë statistikat e Dritës në stinorin që e lamë pas.
Pas përfundimit të stinorit vjeshtor, Drita u pozicionua në tabelë në vendin e parë me 40 pikë të fituara, shtatë më shumë se Ballkani që është i dyti dhe dhjetë më shumë se Malisheva, që ngeli e treta. Drita pati një goldallim 17 plus, ngase në 18 ndeshje ia doli që të shënojë 31 herë, ndërsa pësoi 14 herë. Në fund doli se Drita kishte sulmin më të mirë në ligë, por njëkohësisht edhe mbrojtjen më të mirë në ligë.
Pas 18 ndeshjeve të zhvilluara, FC Drita nga 54 pikë të mundshme ka marrë 40 sosh, apo 80 përqind të pikëve, që është një përqindje shumë e lartë. Gjatë stinorit vjeshtor, Drita ia doli që në portën e kundërshtarëve të shënojë 31 herë, apo mesatarisht 1.72 gola për ndeshje, kurse sa i përket golave të pranuar, porta e Dritës u mposht 14 herë apo mesatarisht 0.78 gola për ndeshje.
Portieri i Dritës, Faton Maloku, në gjashtë ndeshje e mbajti rrjetën të paprekur, kurse sulmit efikas të Dritës i prinë Dabiqaj, Manaj e Be. Krasniqi, duke mos anashkaluar këtë të fundit që ishte asistuesi më i mirë në Superligën e Kosovës në Futboll.
Drita pos që do të dimërojë në vendin e parë në tabelën e klasifikimit, në pranverë do të ketë punë edhe me ndeshjet e kupës, ku ende është në garë për këtë trofe të çmueshëm.
Këto janë të gjitha rezultatet e FC Drita:
Drita – Malisheva 2:1
Prishtina – Drita 1:1
Drita – Suhareka 4:2
Drita – Ferizaj 3:1
Llapi – Drita 1:0
Ballkani – Drita 0:1
Dukagjini – Drita 0:2
Drita – Gjilani 1:1
Feronikli – Drita 0:0
Malisheva – Drita 0:0
Drita – Prishtina 3:0
Suhareka – Drita 1:2
Ferizaj – Drita 1:2
Drita – Llapi 3:1
Ballkani – Drita 2:3
Drita – Dukagjini 2:0
Gjilani – Drita 1:0
Drita – Feronikli 2:1