Futboll

Fundi i ndeshjes vendosi fituesin

Drita është eliminuar nga Liga e Konferencës, pasi pësoi humbje 2-1 nga Viktoria Plzen.

Ndeshja që filloi në ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” kishte një tempo të qetë, por që vërehej një dominim i lehtë i skuadrës çeke.

Derisa afro 10 mijë tifozë krijonin një atmosferë impozante, dy skuadrat për më shumë se 15 minuta lojë nuk arritën të krijonin ndonjë rast serioz.

Por, me kalimin e minutave, rritej edhe tempo e lojës, po ashtu krijoheshin edhe rastet për gol.

Ishte mesfushori Muharrem Jashari, ai që gjuajti pranë pingules në minutën e 26-të prej rreth 15 metrave.

Në minutën e 38-të, Blend Baftiu lëshoi një goditje të fuqishme, por që u bllokua nga mbrojta kundërshtare.

Pjesa e dytë ihte edhe më drithëruese, me dy skuadrat që shënuan nga një gol.

Fillimi i 45 minutave të dytë ishte i çrregullt, pasi ndeshja u ndërpre dy herë përkohësisht për shkak të një reflektori që ndalej.

Por, kur gjendja u rikthye në normalitet, Plzen shënoi nëpërmjet Rafiu Durosinmi në minutën e 76-të.

Drita nuk u dorëzua deri në fund dhe ia doli të shënonte golin e barazimit (1-1) me anë të Benik Krasniqi (90+2′) me një asistim të Raddy Ovouka.

Kur u mendua se ndeshja po shkonte në vazhdime, golashënuesi i Dritës, Krasniqi u përjashtua me karton të kuq në minutën e 90+19-të, duke shkaktuar edhe penallti të cilën në gol e konvertoi Erik Jirka (90+23′) për rezultatin 2-1.

Drita mund të jetë krenare me lojën e treguar ndaj një skuadra tejet të përgatitur, por që gabimi në fund u kushtoi me eliminim. /

You Might Also Like