Futboll

Galaksia më e fortë se Drita e Gjilani

Diç jo e zakontë ka ndodhur në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan. I propozuari i Klubit të Futbollit Galaksia, një anëtare e Ligës së Dytë së Kosovës në futboll, ia ka dalë që të mposht kandidatët e ekipeve në zë, Drita dhe Gjilani.

Bekim Rexhepi, me shumicë votash ia ka dalë që të zgjidhet përfaqësues i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Komitetin Ekzekutiv të Federatës të Futbollit të Kosovës.

Kjo ka ngjallë pakënaqësi tek përfaqësuesit e dy klubeve më të mëdha jo vetëm në Anamoravë Drita dhe Gjilani , pasi që delegati i KF Drita është ndarë i pakënaqur që klubet e mëdha e me emër janë barazuar me shkolla të futbollit, derisa edhe më të pakënaqur janë ndarë përfaqësuesit e KF Gjilani, të cilët në mënyrë demonstrative e kanë lëshuar mbledhjen.

Në fakt, javë më parë, Murat Hoxha, përfaqësues i kësaj lidhje në federatë, është dashur që të ofrojë dorëheqjen, ngase ai ishte i përfshirë edhe në politikë, andaj vendi i tij kishte ngelur vakantë, pozitë që tashti lakmohej nga tre mëtues, Nehat Osmani, i propozuar nga KF Drita, Dërgut Selimi, i propozuar nga KF Gjilani dhe Bekim Rexhepi, që ishte propozuar nga KF Galaksia.

Delegati i KF Gjilani, Abdullah Syla kishte pasur shumë vërejtje, duke pohuar se po shkelej rregullorja, andaj ka shfaqur kërkesën e KF Gjilani që votimi të shtyhej, kurse më pas ka braktisur mbledhjen së bashku me delegatin e përzgjedhur nga KF Gjilani, Dërgut Selimin, shkruan gazetasheshi.com.

Fisnik Kërçeli, delegat i klubit futbollistik Drita ishte i pakënaqur sa i përket ndarjes së votave, pasi që konsideronte të padrejtë votën e klubit Drita me disa shkolla të futbollit. Dhe pas gjithë këtyre zhvillimeve, Kuvendi vendosi që të shkohet në votim, por me vetëm dy kandidatë, Nehat Osmanin  dhe Bekim Rexhepin. Rexhepi mori 14 vota, kurse Osmani, 3 sosh dhe në këtë mënyrë Bekim Rexhepi fitoi besimin që të zgjidhet përfaqësues i LFGJ-së në KE të FFK-së.

Në Kuvend pati përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilët kanë vlerësuar se “Gjithçka ka qenë transparente me status, në këtë kuvend u bë një punë demokratike dhe ne Rexhepit i urojmë që regjionin e Gjilanit ta prezantoj në mënyrë të denjët”. Procesin e votimit e monitoruan edhe dy zyrtarët e FFK-së, nënkryetari Agim Ademi dhe sekretari gjeneral, Eroll Salihu.

Por një mendim të tillë nuk e ndajnë përfaqësuesit e KF Gjilani, të cilët para mbajtjes së Kuvendit i ishin drejtuar me një shkresë urgjente Federatës së Futbollit të Kosovës të Kosovës, të cilët kishin theksuar se janë të pakënaqur me mënyrën se si po organizohet Kuvendi. Ata kishin kërkuar që Kuvendi të shtyhet për kohë të pacaktuar, shkarkimin e Kryetarit të Komisionit të garave për ligën e dytë, juniorët dhe kadetët, duke mëtuar se ka keqpërdorim, shantazhim dhe abuzim me kompetencat. Për të gjitha këto pohime në KF Gjilani kanë dhënë edhe arsyetimet për të cilat është në dijeni federata. Ata pohojnë se edhe në këtë rast është e përfshirë politika në sport. Përfaqësuesit e KF Gjilani kanë ofruar një mori shkresash nëpërmjet të cilave pretendojnë se janë manipuluar e kushtëzuar delegatët, se shumë prej tyre me shantazhime janë kushtëzuar që të ndërrojnë mendje dhe të votojnë pa vullnetin e tyre.

You Might Also Like