Gjilan

Gara për përpilimin e fjalëkryqit, një sfidë për mendjen

Shkruan: Vlerë Krasniqi

Këtë të shtunë në komunën e Gjilanit u mbajt gara për përpilimin e fjalëkryqit në Bibliotekën e qytetit, garë kjo e organizuar nga shoqata e enigmatëve “Ndre Mjeda”. Gara kishte plot shtatëmbëdhjetë pjesëmarrës, të cilit kishin për detyrë të përpilonin një fjalëkryq sa më unik, interesant dhe kompleks të gjitha këto brenda një limiti kohe prej gjashtëdhjetë minutash. Njëra ndër rregullat themelore të kësaj sfide ishte që fjala e parë që secili garues duhet të shkruaj është pikërisht “Ndre Mjeda”, dhe më pastaj ta formulojnë enigmën sipas asaj fjale.

Në bibliotekën e Gjilanit, po aty ku u mbajt gara, anëtarët e shoqatës “Ndre Mjeda” u siguruan që revista e tyre e engimatëve “Horizonti”, një revistë kjo e sportit mendor të jetë ne dispozicion për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ngjarje. Pikërisht ky numër i revistës së shpërndarë këtë të Shtunë ishte botim iveçantë për nder të 40- vjetorit të shoqatës. Brenda kësaj reviste mund të gjejmë enigma prej më të ndryshmeve duke përfshirë fjalëkryqe, anagramë, rrokjekryqe, plotësore, sudoku, dhe disa lloje tjera të gjëzave.

Përderisa garuesit përpilonin fjalëkryqet e tyre, ne e realizuam një intervistë me njërin ndër themeluesit kryesor të shoqatës se enigmatëve “Ndre Mjeda” dhe kryeredaktorin e revistës “Horizonti”, dr. Zijadin V. Hasani. Nga Dr. Hasani kuptuam se shoqata e enigmatëve është themeluar më katër tetor 1980 derisa anëtarët e sotëm të saj ishim akoma në studime. Dr. Hasani na bënë më të thjeshtë për të kuptuar organizimin e këtyre garave duke treguar se “Garat e enigmatëve mund të jenë ato për zgjidhje të gjëzave apo enigmave dhe ato për përpilimin e tyre”. Ai po ashtu cek rregullat të cilat duhet të zbatohen gjatë garës së përpilimit, e që përfshijnë pikëpamje gjuhësore, gramatikore dhe drejtshkrimore dhe kritereve profesionale. Ai flet edhe sa i përket popullaritetit të kësaj gare “Këto gara kanë pasur një popullaritet mjaft të përhapur, mirëpo pas luftës aktiviteti fillon të zbehet për shkak të rrethanave të ndryshme. Megjithatë shtatë deri në tetë vitet e fundit është rrit popullariteti përsëri duke mbajtur takime të ndryshme, gara të enigmatëve dhe përmes botimeve”. Doktori po ashtu fton enigmatët dhe dashamirët e enigmave që t’i u bashkëngjiten për të përhapur dhe promovuar gjëzetarinë sa më shumë. Për të gjithë dashamirët e enigmave apo edhe për ata që dëshirojnë të provojnë vetën dhe mendjen me anë të zgjidhjes së enigmave, përveç revistës “Horizonti” të shoqatës, Dr. Hasani ka botuar edhe një libër enigmash të titulluar “Rrokjesorë Magjikë 4×4”. Në këtë libër, fillimisht ai shpjegon enigmatikën apo ndryshe gjëzetarinë, dhe më pastaj përfshinë një përmbledhje jashtëzakonisht të pasur me rrokjesorë prej nga më të ndryshmit.

Në revistën “Horizonti” mund të mësojmë pak edhe për historikun e shoqatës së enigmatëve dhe revistës, mme themelimin e shoqatës nga dr.Zijadin V. Hasani, më pastaj bashkangjten Xhelal Selmani, Rasim Vllasaliu dhe Fadil Dërmaku. Mund të lexojmë edhe për rolin që shoqata “Ndre Mjeda” ka luajtur në shoqëri. Zbulojmë edhe datën e botimit të pare të revistës “Horizonti” më pesëmbëdhjetë janar të vitit 1981, dhe për garat e ndryshme të organizuara nga kjo shoqatë. Është me rëndësi të ceket edhe pjesëmarrja e enigmatëve gjilanas në kampionatet botërore në zgjidhjen e enigmave (World Puzzle Championship) përgjatë viteve në vende të ndryshme të botës.

Por, sa i përket garës për përpilimin e fjalëkryqit, tri vendet e para do të fitonin çmimin prej një kupe dhe sasi parash varësisht nga vendi. Vendi i pare fiton kupën poashtu edhe një shumë prej shtatëdhjetë eurosh, vendi i dytë fiton kupën dhe çmimin prej pesëdhjetë eurosh, kurse vendi i tretë kupen përkatëse dhe çmimin prej tridhjetë eurosh. Pas pak u shfaqën dhe rezultatet e garës, ku vendin e tretë e mori Ekrem Krasniqi me 76 pikë, të dytin Xhemail Veseli me 80 pikë, dhe fitues me 92 pikë u shpall Islam Zuzaku. Gara e përpilimit të fjalëkryqit sot në Gjilan u shënua me një entuziazëm të madh nga anëtarët e shoqatës së enigmatëve “Ndre Mjeda” dhe të gjithë të pranishmëve. Përkushtimi i organizatorëve dhe pjesëmarrja aktive e anëtarëve treguan gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për të promovuar dhe rritur interesin për këtë sport mendor të zgjidhjes së enigmave në komunitetin tonë.

(Autorja është gazetare praktikante në gazetën online kryelajmi.com)

You Might Also Like