Gjilan, 19 dhjetor 2017 – Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe me përkrahje të rotarianëve të Gjilanit, më 27 dhjetor do të organizohet Gala Mbrëmje humanitare për t’i dalë në ndihmë fëmijëve me nevoja të veçanta, nënave pa përkujdesje dhe personave të tjerë me nevoja të veçanta.
Për këtë ngjarje, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbledhur sot në takim përfaqësuesit Klubit Rotarian “Gjilani”, Qendrës së Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatës “Liria” dhe shoqatës “Handikos”.
Pas takimit, kreu i gjilanasve ka apeluar të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të vazhdojnë të bëhen solidar në mbështetje të fëmijëve dhe nënave.
“Përfitues nga kjo mbrëmjë do të jenë drejtpërdrejt fëmijët me nevoja të veçanta, që kanë nevoja për lehtësim dhe integrim të barabartë sepse besojmë në parimin e barazisë. Zoti dikujtë nuk i ia ka dhënë një shqisë apo një organ, por ia ka zhvilluar tjetrën. Komuna jonë është shembulli më i mirë se si duhet të vendosjes barazia mes njerëzve”, tha Haziri.
Haziri ka falënderuar të gjithë donatorët e mbrëmjes humanitare të vitit 2014, nga kontributi i të cilëve janë ndërtuar 47 shtëpi për familjet ne nevojë.
“I falënderoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët kontribuan jashtëzakonisht shumë për ndërtim të 47 shtëpive. Nga ai fond paguajmë qira për 41 familje, 40 shtëpi të tjera i kemi renovuar, ndërkaq në edhe shtatë shtëpi të tjera do të ndërtohen”, ka theksuar Haziri.
Ndërsa, aktori i mirënjohur, Fatmir Spahiu, i cili do ta moderoj këtë mbrëmje, ka përgëzuar kryetarin Lutfi Haziri për iniciativën, duke besuar në mbështetjen e madhe të njerëzve të vullnetit të mirë.
Përfaqësuesit e rotarianëve “Gjilani” dhe shoqatave “Pema”, Liria e Handikos, e kanë falënderuar kryetarin Haziri për organizimin e kësaj mbrëmje, përderisa kanë bërë thirrje që të mbështeten këto kategori, duke iu krijuar mundësi më të mira për jetesë.
Ndryshe, mbrëmja humanitare do të mbahet më 27 dhjetor me fillim në ora 20:00 dhe me transmetim të drejtpërdrejt të Radio Televizionit të Kosovës.