Gjilan, 15 mars 2022 – Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan ka pranuar të martën një donacion me pajisje mbrojtëse medicinale për stafin shëndetësor, nga Rotary Klub Gjilani, i cili e kap vlerën e afro 2300 dollarësh.
Në emër të kryetarit Alban Hyseni, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, ka shprehur falënderim për Rotary Klub Gjilani për këtë donacion për stafin shëndetësor, duke shfaqur shpresën e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
Drejtoresha e QKMF-së, Dr. Arbenita Hajdari, ka thënë se donacionet e tilla janë të mirëseardhura sidomos tani kur janë rritur nevojat për material të punës.
Ajo tha se ky donacion përfiton edhe stafi shëndetësor për një punë më të lehtë, sikurse edhe pacientët për shërbime sa më të mira.
Ndërkaq, kryetari i Rotary Klub Gjilani, Fatmir Latifaj, theksoi se me këtë donacion janë siguruar paketa me pajisje mbrojtëse për stafin mjekësorë dhe materiale tjera ndihmëse që përmban produkte si: maska kirurgjikale për fytyrën (3 palëshe), maska FFP2 – K95, syze mbrojtëse, doreza nitrile ekzaminuese dhe medicinale, alkool për dezinfektim, termometër balli me rreze infra të kuqe, puls oksimeter si dhe shtroja për pacient një përdorimesh.
Falënderim për këtë donacion në kohë pandemie për Rotarianët ka shprehur edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Gjilan, Aurorë Osmani Buca.