Në një lojë që ka dhënë pak raste, ka mjaftuar një minutë dhe janë shënuar dy gola të shpejtë për rezultatin e barabartë Gjilani – Ballkani 1:1.
Me shumë ndërprerje e lëndime është karakterizuar pjesëloja e parë e ndeshjes Gjilani – Ballkani, në të cilën pikët kanë qenë shumë të rëndësishme për të dy ekipet.
Gjilani ka patur më shumë nga loja në pjesën e parë, kurse Ballkani lojën e ka bazuar në kundërsulme, me depërtime nga krahët.
I pari që ka provuar ishte Mirlind Daku, i cili tentoi që të befasojë Koliqin nga largësia, por pa ia dalë që të shënojë. Në minutën 22, Gjilani mbeti pa kapitenin e vet Ylber Kastrati, i cili pas një përplasje në mesin e fushës me lojtarin mysafir Gripshi mbeti i lënduar dhe u desh që të lëshojë lojën.
Edhe Blend Baftiu i Ballkanit provoi nga largësia, por pas sukses, sikurse që Mirlind Daku gjuajti në minutën 35 jashtë portës. Gjilano pati rast me Prognin në minutën 41, që gjuajti me kokë, por topi shkoi drejt në duart e portierit suharekas Lulanoviq.
Pasi janë dhënë katër minuta shtesë, pjesëloja e parë ka përfunduar pa gola 0:0.
Në pjëslojën e dytë ekipet janë koncentraur më shumë në mesfushë, duke pritur gabimin e kundërshtarit, por pa pasur ndonjë rast të mirë për shënim, në njërën apo anën tjetër.
Progni në minutën 74 goditi, por drejt në duart e portierit Lulanoviq.
Në minutën 76, Mevlan Zeka i Ballkanit ka shënuar një supergol, kur nga largësia mbi 30 metra ka gjuajtur furishëm, topi u përplas për shtyllën e majtë të Koliqit dhe prej aty u fut në gol për 1:0.
Menjëherë në aksionin vijues, pas një tollovie të krijuar në brendi të portës së Ballkanit, Darko Nikaq me një gjuajtje të saktë nga 11 metra qëlloi këndin e poshtëm të najtë të Lulanoviq për 1:1.
Në minutën 89, gjyqtari Dardan Çaka dha penalti të paqenë për Ballkanin dhe si duket pas konsultimeve me dikë ai ndërroi mendje dhe ia dha topin Gjilanit.