Bashkëlojtarë të Hajrush Latifit, portier i mirënjohur gjilanas, kanë bërë homazhe te varri i tij, duke rikujtuar futbollistin e njohur, i cili ka ndërruar jetë më 27 gusht të këtij viti.
Emra të njohur të futbollit gjilanas të të gjitha gjeneratave si Jakup Berisha, Fahredin Sherifi, Maksut Maksuti, Shemsedin Abazi, Refik Rexhepaj, Ekrem Beqiri, Rabit Matoshi, Xhelal Jetishi, Ajnur Maksuti, Ismajl Rashiti, Enver Elezi, Ismet Ramushi dhe familjarë të Hajrush Latifit e kanë cilësuar lart veprimtarinë e portierit ndër më të mirët që e pati Gjilani.
Fillimisht me një minutë heshtje është nderuar Hajrush Latifi, kurse Maksut Maksuti, ish- futbollist dhe bashkëlojtar i tij e ka falënderuar për të gjithë atë që kishte bërë për futbollin gjilanas.
Halil Latifi, vëlla i Hajrush Latifit, ka falënderuar për kontributin e dhënë si dhe për respektin që i është bërë familjes. “Na e keni ndarë mërzinë për gjysmë”, ka thënë Halil Latifi, që shtoi se edhe si trajner jashtë vendit dha kontribut, sikurse që djali i tij vazhdoi të jetë portier i dalluar.
Xhelal Jetishi, ish – qendërsulmues i njohur ka thënë se Hajrushi do të mbetet një legjendë e futbollit gjilanas, si njeri human, njeri me virtyte të larta si sportist dhe se tani Hajrushit i janë hapur dyert e parajsës dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës.
Refik Rexhepaj, ish- qendërmbrojtës i njohur dhe tashti trajner i futbollit, ka ndarë kujtime me Hajrushin, duke thënë se disa vite kishte luajtur bashkë dhe se ai i inkurajonte të rinjtë, u jepte kurajo, mbështetje e siguri në lojë. “Shumë kam mësuar nga ai dhe ia di për nder e i kemi borxh atij tërë jetën”, ka thënë Rexhepaj.
Se çfarë personaliteti ishte Hajrush Latifi, më së miri dëshmojnë fjalët e Jakup Berishës, ish- bashkëlojtar dhe ish-trajner i tij, i cili kujton:
“Përpara trajnerët ishin serbë, me shumicë dhe lojtarëve u drejtoheshin në gjuhën serbe. Erdha trajner në kohën kur më tepër ishin shqiptarë dhe Hajrushi ishte kapiten i ekipit. Unë iu drejtova ekipit në gjuhën shqipe dhe ai më tha: – Baca Jakup, lirisht fol. Ishin disa anëtarë të kryesisë njerëz të UDB-së, që u mundonin të etiketonin shqiptarët”, kujton Jakup Berisha, që thotë se Hajrushi pati cilësi si portier, sportist, humane, por ishte edhe patriot dhe me vlera kombëtare.
Hajrush Latifi mbetet portieri numër një që e dha Gjilani.
Kush ishte Hajrush Latifi
Latifi, që karrierën e kishte filluar në vitet e shtatëdhjeta e ka përfunduar atë në vitet tetëdhjeta, duke qenë njëri ndër portierët më të dalluar. Ishte kohë kjo kur portierët e mirë ishin në mungesë e Hajrush Latifi ishte njëri ndër ta.
Pjesën më të madhe të karrierës së tij, Hajrush Latifi e kishte kaluar në klubin gjilanas Crvena Zvezda, kurse në paraqitjet e tija mes shtyllave ai gjithmonë kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme.
Pas përfundimit të karrierës së tij në futbollin aktiv, Hajrush Latifi kishte kaluar në Gjermani dhe ka punuar si trajner futbolli në disa ekipe, në mesin e tyre edhe në ekipin SC Drita Kosova Kornwestheim.
Edhe si trajner, Hajrush Latifi kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme.
Duke qenë një ndër portierët më të mirë që ka pasur Gjilani, Hajrush Latifi, një vit më parë ishte përzgjedhur në njëmbëdhjetëshin më të mirë në futbollin gjilanas, që ka ekzistuar ndonjëherë.