Gjilan, 10 shkurt 2018 – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën për media të shtunën, ka deklaruar se gjatë viteve 2018-2021 pritet të realizohet plani masiv i investimeve në këtë komunë, në të gjitha fushat, përderisa ka ripërsëritur se pas dy viteve të para të mandatit të ri do të ndodhë tregimi i madh.
Pritoritet numër një në këtë muaj, sipas Hazirit, është miratimi i Statutit, sipas të cilit do të riogranizohet Bordi i Drejtorëve konform vlerësimeve të të gjitha partive politike, për ta ndërtuar një qeverisje të gjerë në interes të të gjithë qytetarëve.
“Duhet të angazhohemi në qeverisje mbi partiake, në shërbim të qytetarëve. Riogranizimi do të ndodhë edhe në shërbim civil në funksion të realizimit të planeve dhe riorganizimit të detyrave, sikur që do të ndodh edhe riorganizimi i zyrave. Gjatë këtij muaji do të organizohet debat publik me qytetarët, shoqërinë civile e grupet e interesit për t’i involvuar në procesin e vendimmarrjes”, ka thënë Haziri.
Sa i përket investimeve në infrastrukturë, Haziri tha se janë nënshkruar kontratat në vlerë prej 2.9 milionë euro për ndërtim të rrugëve, kanalizimit e ujësjellësit në fshatra dhe qytet për vitin 2018, duke përmendur edhe vazhdimin dhe projekteve të mëdha
“Do të vazhdojmë ndërtimin e rrugës hyrëse dhe dalëse me katër korsi prej Livoçit të Ulët deri tek Xhamia Madhe me të gjitha elementet përcjellëse, pastaj do të fillojmë me atë prej tunelit e deri te “Gllama”, në gjatësi prej 7 kilometrash, me investim të BERZH. Ndërsa, gjatë javës presim nënshkrimin e memorandumit me Qeverinë e Republikës për realizimin e projekteve të mëdha, përfshirë kampusin e universitetit e projekte tjera. E rëndësishme është që Kazerma e FSK nuk do të preket në këtë rast”, tha Haziri.
Kreu i gjilanasve pohoi se janë në fazën e fundit të nënshkrimit të kontratës për fillimin e autostradës, e cila lidhet me dy korridoret ndërkombëtare, ndërkaq ka shfaqur shpresën se vendkalimi kufitar Stanqiq-Bellanoc do të funksionalizohet së shpejti.
Kryetari Haziri ka përmendur projektin e parë që e Komuna e ka nisur me financim të Komisionit Europian në modernizimin e Tregut të Gjelbërt, për të vazhduar me tregjet mobile në Kmetoc, te kisha “Shën Nikolla”, e në lagjet “Arbëria” dhe “Dardania”.
I pari i Gjilanit ritheksoi se arsimi mbetet prioritetiti numër një e qeverisjes, ku do të vazhdojnë investimet në shkolla e kabinete për një arsim sa më cilësor, përderisa u shpreh i kënaqur që Gjilani ka përmbyllë suksesshëm manifestimin shumëkulturor mbarëkonbëtar, “Flaka e Janarit”
Haziri paralajmëroi se gjatë shkurtit, Komuna do ta organizoj konferencën e madhe mbarëkombëtare të teknologjisë informative, duke thënë se ndihet krenar që tashmë Gjilani është komuna e parë që po ka aplikon programin e Smart City, duke ofruar shërbime online për fushat më të rëndësishme në shërbim të qytetarëve.
Nërkaq, marsi, tha Haziri, do të jetë muaji kur do të funksionalizohet bordi i ri i drejtorëve, përderisa ka thënë se të gjithë ata që ballafaqohen me ligjin, nuk kanë vend në qeverisjen të cilën e udhëheq ai.
“Pas zotimit nga ana ime për shpërblim prej 100 euro për qytetarët që fotografojnë zyrtarët që në orar të punës rrinë në restorante e kafiteri, ne kemi pranuar 6 raste të cilat janë duke u vlerësuar nga organet e policisë. Deri tash ka vetëm një vërejtje me shkrim. Nuk ka telerancë për ata që nuk e respektojnë orarin e punës”, ka thënë Haziri,
Në fund, Haziri tha se Komuna po i realizon aktivitetet e parapara nga Komisioni Shtetëror për shënimin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke përmedur faktin se Kuvendi Komunal do t’i shpallë Qytetar Nderi tre persona: Hasan Mala, Hafiz Gagica dhe Afrim Kqiku.