Gjilan

Haziri: Projektet kapitale, apo projektet milionëshe, janë program qeverisës për kushte të mira për qytetarët gjilanas

Gjilan, 19 korrik 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit e ka konfirmuar vazhdimin e agjendës së investimeve kapitale në ndërtimin e infrastrukturës në Komunën e Gjilanit, duke bërë model të mirë qytetin, hyrje – daljet e tij, rrugët dhe trotuaret gjithandej, por edhe koncentrimin në ndërtimin e hyrje – daljeve të fshatrave.

“Jemi duke punuar për fillimin e punimeve të fazës së dytë të ndërtimit të rrugës së Kumanovës, ku hyn edhe rrjeti i kanalizimit që në total në këtë rrugë do të investohen mbi 2 milionë euro. Poashtu investimet konkrete do të jenë edhe në fshatin Livoç i Epërm, duke përfshirë edhe lagjen e Jabuqëve. Pastaj rrugën Dobërçan-Stublinë-Pogragjë, ku përpos asfaltimeve janë të parapara edhe investimet në infrastrukturën përcjellëse”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai gjithashtu ka konfirmuar edhe projektet për të cilat janë nënshkruar kontratat ose janë në proces të nënshkrimit dhe përfshihen asfaltimet e rrugëve, rregullimi i trotuareve, rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit si dhe përkushtimit për të investuar edhe në ndriçim publik dhe zgjerim të hapësirave gjelbruese.

Kreu i Gjilanit, ka potencuar edhe projektet për hyrje – daljet e fshatrave, që ka theksuar se përpos formatit të hyrje-daljeve të qytetit e njejta do të bëhet edhe në vendbanimet e mëdha sikur që është në këtë fazë investimi në fshatin Përlepnicë dhe Cërrnicë.

“Komuna e Gjilanit është duke punuar me përkushtim të vazhdueshëm edhe në dy vendbanimet më të mëdha si në Përlepnicë dhe Cërrnicë, ku është duke u punuar zgjerimi i hyrje-daljeve të fshatit. Njëkohësisht konfirmoj se investimet në fshat dhe qytet janë të barazpeshuara me qëllimin e trajtimit të barabartë të banorit në fshat dhe atij në qytet”, ka thënë kryetari Haziri.

Gjithashtu në fund ai ka falënderuar bashkatdhetarët për ardhjen e tyre në Gjilan dhe njëkohësisht me mirëkuptimin e tyre Komuna e Gjilanit, sipas kryetarit Haziri do të vazhdoj me realizimin e projekteve të mëdha dhe së shpejti ai ka konfirmuar se do të filloj edhe investimi i hyrje-daljes së rrugës në drejtim të Prishtinës.

“Arsyeja e punimeve në këtë fazë është për shkak të kushteve të volitshme klimatike që po mbretërojnë për të kryer punimet në infrastructure dhe qeverisja në Gjilan po punon në realizimin e agjendës investive shumë dinamike dhe me projekte të shumta”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

You Might Also Like