Gjilan

Haziri viziton KBI-në, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit

Gjilan, 28 prill 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan, dhe në takim me kryetarin Naim Aliu kanë drejtuar urimin për muajin e shenjtë të Ramazanit, për të gjithë besimtarët myslimanë, sikur që edhe kanë kërkuar një kujdes më të madh në përballjen me pandeminë Covid-19.

Kryetari Haziri ka thënë se ky muaj i sakrificës, i solidaritetit dhe vetëpërmbajtjes këtë është më ndryshe për shkak të pandemisë.

“Erdha sot në Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan dhe kryetarin Aliu, por edhe gjithë besimtarët myslimanë, i uroj me rastin e muajit të Ramazanit në të cilin përpos lutjeve, sakrificës, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj Zotit po e kalojmë edhe një sfidë të përballjes me pandeminë Covid-19. Solidarizimi me të varfërit në këtë kohë është në nivelin më të lartë dhe KBI është në koordinim që të mbështeten familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka konfirmuar se lokacioni për objektin e ri të Bashkësisë Islame tashmë është përcaktuar dhe do të jetë një projekt që i ka munguar deri tani qytetit tonë.

Ndërsa, kryetari i KBI-së, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin vizitën, bashkëpunimin dhe menaxhimin në këtë situatë pandemie, derisa ka uruar besimtarët për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Aliu ka potencuar edhe angazhimin që është duke u bërë së bashku me komunën në shpërndarjen e pakove ushqimore për rastet sociale.

You Might Also Like