Libri

Intervistë me shkrimtarin Nexhat Rexha    

 Nexhat Rexha është shkrimtar nga fshati Topanicë, komuna e Dardanës. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Filologjisë – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ka punuar si mësimdhënës në gjimnazin “Ismail Qemali” në Dardanë. Ai ka një krijimtari mjaft të pasur letrare me 17 libra nga të cilët dy i ka bashkautorë, disa nga këta libra janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.  

Kryelajmi: “Kur dhe si ka filluar karriera e juaj letrare?”

Nexhat Rexha: Faleminderit! Çështja e karrierës letrare ndërtohet që nga fëmijëria, do të thotë që nga fillimet e para të shkollës fillore, atëherë si quhej, në gjimnaz pastaj në studime e tutje por të them të drejtën unë personalisht karrierën e shkrimeve e kam herët filluar por botimin e kam të vonshëm. Botimi i vonshëm ka qenë në vitin krejtësisht 2003 me librin e parë timin, që kam filluar do të thotë t’i publikoj libërshkrimet edhe pse më herët i kam publikuar shkrimet e mia nëpër gazeta e revista por libri i parë mund të them se e hap derën për libra të tjerë kështu që nuk jemi ndalur në krijimtarinë letrare. Unë merrem me poezi, kritikë letrare dhe në fushën e tregimit. Sot në opusin tim letrar kam arritur gjithsej të kem 17 apo 18 libra nga të cilët dy i kam bashkautorë. Në opusin letrar timin kam edhe libra të përkthyer, një libër në gjuhën angleze, një në gjuhën suedeze, një në gjuhën rumune dhe në një libër me disa bashkautorë nga 10 poezi në gjuhën gjermane por ajo është çështje tjetër. Mund të them se çështja e librit është shumë çështje me rëndësi apo më mirë të them e shkrimeve letrare. Unë e kam pasur fatin të punoj edhe kryesisht në gjimnaz dhe ajo ka qenë një shtytje shumë e rëndësishme për mua dhe për gjeneratat e reja që kanë ardhur sepse në mbajtjen e orëve letrare kemi organizuar edhe botimin pastaj të revistës letrare, meqë unë vij nga Kamenica pra nga gjimnazi “Ismail Qemali” ku e kam përfunduar karrierën e mësimdhënësit, atë e kemi nxjerrë në vitet e 90-ta edhe revistën “Dituria” që është botuar kryesisht me punime të nxënësve dhe punime tona.

Kryelajmi: “Ku është i fokusuar aktiviteti juaj letrar?”

 Nexhat Rexha: Aktiviteti im letrar tani ka shtrirje më shumë në klubin letrar “Beqir Musliu”,  në Ars Klubin “Beqir Musliu” ku vazhdimisht jemi aktiv në promovime të librave, në aktivitete siç është ky i ekspozitës së librit e siç janë të tjerë për të mos e lënë fjalën shqipe të vdes. Kjo është çështja më e rëndësishme e botimit të librit dhe e aktiviteteve të ndryshme letrare. Qyteti i Gjilanit ka krijuar traditën e vet, mund të them të begatshme sepse ne së bashku edhe me kryetarin e Ars Klubit “Beqir Musliu” Sabit Rrustemin e shumë miq të tjerë të cilët janë në Gjilan dhe shkrimtarë të tjerë marrim pjesë edhe nëpër takime të ndryshme letrare nëpër qendra të ndryshme të tokave shqiptare duke filluar nga Saranda, në Ulqin, në Mitrovicë e vende të tjera dhe mund të them me plotkuptimin e fjalës se qyteti i Gjilanit qëndron në ballë të këtyre aktiviteteve sepse është krijuar një traditë jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për shkak të manifestimeve që ka si manifestimin “Flaka e janarit”, “Trekëndëshi poetik”, “Pranvera e librit”, “Vjeshta letrare e Gjilanit” e kështu me radhë që është krijuar një traditë tani edhe me botimin e veprave letrare nga fusha të ndryshme duke filluar nga poezia, proza, drama por kryesisht tregimi është ai që shkon. Me një fjalë Ars Klubi letrar “Beqir Musliu” në Gjilan sot ka një shtrirje të gjerë në të gjitha hapësirat letrare duke botuar edhe shkrimtarë në të gjitha trevat e Shqipërisë.

 Kryelajmi: “Cili ka qenë motivimi juaj kryesor për të vazhduar në rrugën e letërsisë?”

Nexhat Rexha: Është çështja shpirtërore që njeriu ndoshta nuk di as ta shpjegoj por vetë leximet e para të kanë marrë për veti dhe të kanë bërë peng dhe ndoshta edhe jeta jonë ka hyrë dhe nuk kemi mundur të dalim nga rrjedhat e letërsisë por jam shumë i lumtur shumë i kënaqur sepse letërsia është ushqimi më i madh shpirtëror i gjithë popujve të botës. Sikur mos t’ekzistonte letërsia ekonomia do ta shkatërronte njerëzimin sepse ana financiare dhe teknologjitë e reja do ta bëjnë njeriun për vete pas pasurisë marramendëse që njerëzit mund të arrijnë, ndërsa libri është ai i cili është ilaçi më i mirë që e zbut shpirtin e njeriut dhe në momente të caktuara e qetëson edhe nga ankthet e kësaj bote që njerëzit mashtrohen përmes bizneseve të ndryshme.

Kryelajmi: “Para botimit të librit tuaj të parë në cilat revista dhe gazeta keni marrë pjesë me veprat tuaja letrare?”

Nexhat Rexha: Më herët kemi pasur fatin t’i botojmë shkrimet e para në ato pak revista dhe gazeta të kohës që kanë qenë por unë të them të drejtën nuk e kam pas mundësinë para vitit 1990 të botoj sepse atëherë ka qenë një censurë shumë e madhe dhe ishte vështirë njeriu të depërtoj me disa shkrime letrare të asaj kohe. Unë nuk kam botuar dhe jam shumë fatlum që s’kam botuar në atë kohë dhe kam filluar që nga vitet e 90-ta shkrimet e para t’i botoj në revistën “Shkëndija”, “Rilindja” e revista të kohës që kanë qenë por pas viteve të 90-ta dhe sidomos pas vitit ’99 dyert kanë qenë të hapura e shkrimet e mia janë botuar në të gjitha gazetat shqiptare në Shqipëri, Maqedoni pra kështu me radhë.

Kryelajmi: “Përveç letërsisë me çfarë tjetër ju pëlqen të merreni?”

Nexhat Rexha: Pjesët tjera janë ushqyese të jetës sonë por kryesisht vokacioni im është letërsia, do të thotë shpirti im është te letërsia. Pjesët tjera janë pjesë ushqyese edhe të letërsisë sepse njeriu nuk mund të krijoj një shkrim letrar nëse nuk arrin ta njoh ekonominë, ta njoh sportin, muzikën, ti njoh gjërat tjera pasi ato janë pjesë të cilat e ushqejnë pastaj krijimtarinë letrare.

Intervistën e realizoi: Jona Kallaba

You Might Also Like