Këtë vit procesi i mbjelljes së grurit është zhvilluar shumë mirë në Komunën e Gjilanit, tha drejtori për Bujqësi dhe Pylltari, Bajram Isufi.
Sipas tij, gjatë tërë muajit tetor koha ishte e mirë, ndërsa toka kishte lagështinë e duhur. Fermerët e shfrytëzuan rastin dhe e kryen mbjelljen e grurit brenda afatit optimal.
Drejtori për Bujqësi, shton se sa i përket repromaterialit nuk ka pasur problem, sepse barnatoret bujqësore kanë qenë mirë të furnizuara me repromaterial, farë dhe plehra minerale.
“Si çdo vit edhe këtë sivjet, Drejtoria për Bujqësi në Gjilan është kujdesur për të subvencionuar fermerët me farë cilësore të grurit. Për këtë qëllim janë shpërndarë 200.000 kg farë për 1130 aplikues përfitues, të cilët i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara për subvencione”, tha Bajram Isufi.
Më tej ai tregon se kultivimi i grurit ka rëndësi strategjike për vendin tonë sepse, bëhet fjalë për sigurimin e bukës për popullatën. Edhe kushtet agroekologjike janë të përshtatshme për kultivimin e kësaj kulture bujqësore.
Sipas drejtorit për Bujqësi, ndër sfidat që e përcjellin këtë kulturë bujqësore mund të përmendim: ndryshimet klimatike që janë duke ndodhur kohëve të fundit, mekanizmi jo adekuat dhe i vjetruar, përdorimi farërave jo cilësore, pamundësia për ta plehëruar sa duhet dhe problemet me masat mbrojtëse nga sëmundjet, dëmtuesit dhe barojat e këqija.
“Për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe të suksesshme të kultivuesve të grurit, është e domosdoshme që të merren masa të koordinuara nga fermerët dhe komunat. Investimet në teknologji, edukim dhe mbështetje financiare janë thelbësore për përmirësimin e rendimentit dhe cilësisë së grurit në të ardhmen”, tha drjetori Bajram Isufi.