Te ndryshme

Rrugëtimi i Fitim Bashës, nga ëndrrat e ndërprera në Kosovë, te themelimi i auto shkollës “Vision” në Gjermani

Në qytetin e Bad Camberg-ut, të kantonit Hessen në Gjermani, operon me shumë sukses auto shkolla “Fahrschule Vision”, një biznes i ndërtuar me shumë mund e djersë nga shqiptari Fitim Basha, me origjinë nga fshati Koretin i komunës së Kamenicës. Historia e tij nuk është thjesht një histori suksesi në biznes, por një dëshmi e sakrificës dhe vullnetit të pathyeshëm përballë stuhive të jetës.

Në rininë e tij, Fitim Basha kishte një ëndërr të madhe dhe të qartë: të bëhej inxhinier i Arkitekturës. Për ta bërë këtë ëndërr realitet, ai kishte filluar studimet në këtë profesion fisnik. Megjithatë, dëshira dhe pasioni shpesh përballen me realitetin e ashpër. Për shkak të kushteve jo të mira ekonomike dhe faktit që ky drejtim kërkonte mjete të mëdha financiare për materiale dhe përgatitje, ai u detyrua t’i ndërpresë studimet në Arkitekturë.

I etur për dije dhe për të ndërtuar një të ardhme, Fitimi nuk u dorëzua dhe nisi studimet në një tjetër fushë, atë të Juridikut. Por, kur dukej se gjërat po merrnin drejtim, erdhi viti 1999. Lufta në Kosovë ia shoi përfundimisht ëndrrat për të vazhduar shkollimin në vendlindje, duke e detyruar atë të marrë rrugën e vështirë të emigrimit drejt shtetit të Gjermanisë për të gjetur shpëtim dhe një fillim të ri. Vitet e para në Gjermani nuk ishin të lehta. Pas shumë e shumë punëve të ndryshme që bëri për të siguruar jetesën dhe për të gjetur rrugën e tij, në vitin 2011 Fitimi vendosi të ndjekë një pasion të ri.

Ai filloi studimet për instruktor të auto shkollës, të cilat arriti t’i kryejë në një afat rekord. Përkushtimi i tij dha fryte të menjëhershme, dhe në vitin 2013, ai filloi punën si instruktor duke themeluar kompaninë e tij, të cilës i dha emrin domethënës “Vision”.

Që nga ajo kohë, auto shkolla ka pasur një rritje të jashtëzakonshme. Deri më tani, përmes kësaj shkolle janë trajnuar dhe kanë kryer me sukses patentë shoferin mbi 800 kandidatë, një shifër që dëshmon besueshmërinë dhe cilësinë e lartë të shërbimit.

Duke folur për punën e tij, Fitim Basha thekson:

“Të jesh instruktor i automjetit është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Klientët kërkojnë çdo detaj për automjetin, dhe ne ofrojmë gjithçka më të mirën që kemi, si në anën teorike ashtu edhe në atë praktike. Jemi shumë të lumtur dhe krenarë që klientët tanë na besojnë në punën tonë profesionale. Ne me shumë dashuri e profesionalizëm jemi pranë timonit me kandidatët tanë. Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur kandidati në fund largohet i kënaqur me atë se çfarë ka mësuar nga ne për vozitjen e makinës.

” Suksesi i Fitimit po trashëgohet edhe te brezi i dytë. Basha ka bërë të ditur se djali i tij, Diar Basha, tashmë do t’i bashkëngjitet biznesit të familjes. Diari ka dëshmuar një talent të rrallë, duke diplomuar në afat rekord për instruktor që në moshën 21-vjeçare. Në një shtet me rregulla aq strikte si Gjermania, numri i instruktorëve që arrijnë të licencohen në një moshë kaq të re është jashtëzakonisht i paktë, gjë që e bën këtë një arritje të madhe.

Lidhur me këtë profesion, 21-vjeçari Diar Basha shprehet me shumë pasion:

“Të mësosh kandidatët për shofer që nga dita e parë është punë e vështirë, por është shumë kënaqësi kur në fund ata përfundojnë tek ne dhe pajisen me leje të vozitjes. Është një krenari e madhe për shkak se e sheh punën tënde profesioniste të cilën e ke bërë me kandidatët.

” Përpos punës së palodhshme, vëmendjes së lartë që kërkon trafiku dhe angazhimit të përditshëm në auto shkollë, Fitim Basha ka edhe një anë tjetër artistike që e plotëson atë. Ai ka një pasion shumë profesional për fotografimin. Në momentet e tij të lira, ai zëvendëson timonin me aparatin fotografik, duke dëshmuar se ka një sy të mprehtë për detajet e bukura të jetës, një aftësi që duket se i ndihmon si në rrugë, ashtu edhe në art.

Për shkak të cilësisë së lartë të punës, kërkesat për auto shkollën “Vision” janë rritur ndjeshëm, jo vetëm nga pjesa e shqiptareve, por edhe nga vetë qytetarët gjermanë. Fitim Basha thekson se në të ardhmen e afërt, shumë shpejt do të bëhet zgjerimi i auto shkollës për t’u bërë ballë këtyre kërkesave të mëdha.

Në fund, Fitim Basha ka një porosi thelbësore dhe jetësore për të gjithë shoferët në rrugë: “Respekto rregullat e komunikacionit për të qenë i shëndoshë! Me veturë nuk ka lojë; çdo sekondë duhet të jesh i përqendruar në vozitje.”

You Might Also Like