Historiani gjilanas, Izmi Zeka, aktualisht, funksionar i lartë politik i PDK-së dhe z/ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sjell dhe një libër të ri në skenën publike të Kosovës dhe për lexuesit, me titull “EPOKA DEMÇIANE dhe shkrime të tjera”, duke dëshmuar një pjekuri dhe ngritje të mëtejme si ndriques i figurave të historisë më të re të Kosovës po, edhe si vlerësues i zhvillimeve politike në vend e më gjerë.
Libri më i ri i Izmi Zekës, i edituar përmes Ars CLubit “Beqir Musliu”, koncipohet në katër cikle: “Shpalime”, ku ndriqohen më tej disa nga figurat e rëndësishme të Anamoravës dhe të Kosovës që ndikuan me veprimet e tyre atdhetare në shtetkrijimin e këtij vendi, nga lufta e dytë botërore e këndej. Vijon pastaj me ciklin e dytë, “Meditime”, ku shtjellohen disa zhvillime politike në vend, gjithnjë në funksion të shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës, për të vijuar me ciklin e tretë, “Gjykime”, ku ndalet hollësisht në vlerat e luftës për çlirimin e Kosovës dhe, në fushatat e ulta që ndërmerren kohë pas kohe në zhvlerësimin e këtyre vlerave që sollën këtë liri e këtë shtet që që kemi, e që me të drejtë cilësohen si përpjekje të kota dhe të mjera, për ta përmbyllur me ciklin e katërt, “Vrojtime”, ku shtjellohen disa zhvillime politike në rajon, përkatësisht në disa nga shtete fqinje të Kosovës e më gjerë, që direkt apo indirekt mund të reflektojnë edhe në zhvillimet politike në vetë shtetin më të ri në Evropë.
Izmi Zeka deri më tash ka botuar dhe katër libra të tjerë nga kjo fushë, ndërsa “EPOKA DEMAÇIANE dhe shkrime të tjera” është libri i tij i pestë dhe do të përurohet më 27 tetor 2018, ora 12:00, në hotelin KRISTAL, në kuadër të edicionit të nëntë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”.