Mundësia e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, me vëmendje të madhe po përcillet në këtë pjesë të trungut shqiptar, kurse edhe ndër luginasit që veprojnë në Kosovë kjo është bërë temë e pashmangshme.
Kushtrim Kadriu, udhëheqës në Lëvizjen “Vatra”, subjekt politik ky që tubon luginasit që jetojnë në Kosovë, idenë e presidentit Hashim Thaçi, e sheh si të paqartë, ngase nuk e ka precizuar se çfarë përmban ajo, kurse sa i përket bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën, ai thotë se kjo është kërkesë e kamotshme që daton që nga viti 1912, por që kjo kërkesë deri më tashti nuk është trajtuar seriozisht asnjëherë. Tashti, ky është një problem serioz dhe ndaj kësaj çështje duhet një diskutim serioz, kurse sipas Kadriut, kërkesat e banorëve të Luginës së Preshevës ka ndodhur që shpesh të përdoren e të keqpërdoren për poenë politikë.
Kadriu, thotë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deri më tashti nuk e ka përmendur idenë e shkëmbimit të territoreve, kurse Kadriu, duke e njohur Serbinë nuk beson se ajo do të jetë aq gjeneroze, duke i dhënë Kosovës tri komuna e duke mos marrë asgjë.