ARSIMI

KDI: Infrastrukturë e dobët dhe gjendje emergjente në shkolla

Shkollat në Kosovë vazhdojnë të mos kenë infrastrukturë të duhur për mbajtjen e procesit mësimor. Shumë nxënës ende mësojnë në objekte të vjetra shkollore e në kushte jo të mira higjienike, e që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e nxënësve.

Një ndër to është edhe shkolla “Fan S. Noli”, në Kamenicë. Në këtë shkollë, gjendja e tualeteve është e rëndë.

Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur një takim mes prindërve të nxënësve të kësaj shkolle dhe përfaqësuesve komunal, në kuadër të takimeve që KDI ka zhvilluar për të identifikuar problemet që kanë banorët në komuna të ndryshme të Kosovës, gjatë zbatimit të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”.

Prindërit kanë kërkuar që të intervenohet në rregullimin e këtyre tualeteve, duke shtuar se fëmijët e tyre janë të rrezikuar.

Ilirjana Maloku, thotë se fëmija i saj është rrëzuar në shkallët që të shpien në tualet, duke pësuar lëndime në kokë.

Arian Mavriqi, gjithashtu prind i një prej nxënësve ceki se rregullimi i këtyre tualeteve është emergjencë.

Prindërit gjithashtu cekën se me datën 20.09.2018 me 32 nënshkrime e kanë përcjellë ankesën tek Ministria e Arsimit, Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati dhe tek Drejtori i shkollës Mustafa Rrudhani që të ndërmerret diçka sa më shpejtë.

Sipas tyre deri më tani Komuna nuk ka ndërmarrë asgjë rreth kësaj çështje, duke bërë që prindërit çdo ditë e më shumë të shqetësohen rreth shëndetit të fëmijëve të tyre.

Zyrtari komunal  nga drejtoria e Arsimit, Sabri Morina, ceki se këto shqetësime do t’i adresoj në komunë që të ndërmerret diçka.

Të gjitha deklaratat dhe pamjet e kësaj shkolle mund t’i gjeni në videon e përgatitur nga KDI në këtë link:https://www.youtube.com/watch?v=VgcB-YkxQo4&t=12s

Takimi dhe video janë pjesë e projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”, financohet nga Ambasada e Britanisë në Prishtinë.

You Might Also Like