Futboll

KF Llapi fton “Legjendat” që në numër të madh të jenë ndaj Gjilanit

𝐁𝐚𝐭𝐚𝐭𝐢𝐧𝐚 𝐞 𝐊𝐫𝐚𝐬𝐧𝐢𝐪𝐢 𝐛ë𝐣𝐧ë 𝐭𝐡𝐢𝐫𝐫𝐣𝐞 𝐩ë𝐫 𝐩ë𝐫𝐤𝐫𝐚𝐡𝐣𝐞 𝐦𝐚𝐬𝐢𝐯𝐞 𝐩ë𝐫 𝐧𝐝𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐧𝐞𝐬ë𝐫𝐦𝐞 𝐧𝐝𝐚𝐣 𝐆𝐣𝐢𝐥𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐤𝐮 𝐬𝐲𝐧𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐤𝐚𝐥𝐢𝐦𝐢 𝐭𝐮𝐭𝐣𝐞 𝐧ë 𝐠𝐣𝐲𝐬𝐦ë𝐟𝐢𝐧𝐚𝐥𝐞!
Një ditë para ndeshjes së vlefshme për Çerekfinalen e Kupës së Kosovës, klubi ynë Llapi mbajti konferencë për media, ku u diskutua për përgatitjet dhe synimet e klubit për këtë ndeshje, për të cilat u shprehën optimist kryetrajneri, Tahir Batatina dhe futbollisti, Ilir Krasniqi.
Batatina: “Përshtypjet e para janë pozitive. Kemi punuar mjaft shumë gjatë këtyre dy ditëve sa kishim kohë për t’u përgatitur dhe mendoj që ekipi është maksimalisht i përgatitur, i përqendruar dhe i vendosur drejt realizimit të objektivit, pra kalimit tutje në gjysmëfinale”
Krasniqi: “Gjilani ka një skuadër të mirë por ne jemi përgatitur maksimalisht. Fokusi ynë është vetëm kalimi tutje në gjysmëfinale dhe mendoj se si grup do ta japim maksimumin për të kaluar tutje”
Trajneri Batatina iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:
Ndeshja e fundit me Gjilanin në kampionat dhe ndeshja e ardhshme për Kupë: “Ndeshjet kampionale dhe ndeshjet për Kupë dallojnë. Janë dy filozofi të ndryshme të taktikës dhe lojës. Ne do ti qasemi ndeshjes nesër në mënyrën më të mirë të mundshme sepse nuk është ndeshje e lehtë pasi ndeshjet me vetëm një ndeshje janë gjithmonë të vështira. Besoj që detyrat që do t’ua parashtrojmë lojtarëve do t’i zbatojnë dhe do ia arrijmë objektivit, kalimit tutje. Rivera na mungon, nuk do të jetë e lehtë por ne do mundohemi ta zëvendësojmë atë dhe të bëjmë paraqitje të mirë e të kalojmë tutje”
Përgatitjet e ndeshjes: “Ne kemi mundësitë të zhvillojmë stërvitje në dy stadiume. Kur kemi ndeshje me rivalë që luajnë në stadium artificial, ne zhvendosemi në stadium me bari artificial, kurse kur kemi ndeshje në “Zahir Pajaziti”, stërvitjet i aplikojmë këtu pra në fushën tonë me bari natyral. Fusha e stadiumit “Zahir Pajaziti” është kualitative dhe kjo i konvenon skuadrës sime ku mund ta aplikojmë lojën e mirë. Si ekip jemi adaptuar me stadiumin dhe nga ndeshja në ndeshje po shfaqemi ndeshje të mira. E jona është të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të arrijmë objektivin, t’i gëzojmë tifozët tanë që nuk dyshoj se do të jenë në numër të madh në përkrahje të djelmoshave”
Më pas edhe futbollisti Ilir Krasniqi u përgjigj në pyetjet e parashtruara:
Ndërrimi i shpeshtë nga fusha natyrale në artificiale dhe objektivi i nesërm: “Për ne si futbollistë më e lehtë është të luajmë në fushë me bari natyral dhe kjo na konvenon neve. Mendoj që fusha jonë është mjaft e mire dhe me përkrahjen e tifozëve do ia dalim”
Besimi nga trajneri: “Dua ta falenderoj trajnerin (Batatina) që më ka besuar dhe çdo ndeshje më ka dhënë të njëjtin besim. Kam përkrahjen maksimale nga ai dhe shpresoj se nuk do ta zhgënjej. Shpresoj të vazhdoj me formën e mire si timen po ashtu edhe me ekipin dhe besoj në rezultat pozitiv.
Transferimi në arenën ndërkombëtare: “Shpresoj shumë për këtë. Më është dhënë rasti të luaj dhe për këtë synim edhe luajmë”
Pozicionimi në fushë: “Ku dëshiron trajneri të luaj, unë nuk e kam problem të luaj. Luaj për ekipin dhe nuk ka fare problem se a luaj si mesfushor defanziv apo qendërmbrojtës. Me rëndësi është t’i ndihmoj ekipit të arrijmë objektivin”
Për fund si trajneri Tahir Batatina ashtu edhe futbollisti Ilir Krasniqi kishin një thirrje për tifozët për përkrahje masovike për ekipin:
“Sa i përket tifozëve. Kur nuk u lejuan shikuesit më parë, unë bëra maksimumin t’i rikthej tifozët në ndeshjet evropiane duke insistuar edhe në institucionet tona qeveritare. Mua si trajner loja pa tifoz nuk më duket lojë dhe nuk më pëlqej të luaj pa ta. Në momentin kur nuk i kam prezent tifozët, as ndeshjen nuk mund ta menaxhoj në mënyrën më të mirë të mundshme. U jam falenderues “Legjendave” nga të cilët kam përkrahje nga ardhja ime në Llap. Poashtu gjithë qytetarëve llapjanë që vinë e na përkrahin në maksimum. Me “Legjendat” ne jemi me një lojtar më shumë në fushë. Organizimi i tyre është fantastik dhe jam shumë i lumtur që “Legjendat” kanë se me çka të mburren. Mendoj që nesër duhet që edhe institucionet tona komunale apo edhe dyqanet e kompanitë të mbyllin veprimtarinë e tyre nesër në ora 13:00 dhe t’ia kushtojnë ekipit të zemrës 2 orë e të na përkrahin drejt kualifikimit tutje”, theksoi Batatina.
“Legjendat janë lojtari ynë i 12-të. Ne vazhdojmë të japim më të mirën për ta dhe në fund t’i gëzojmë me fitore dhe kalim tutje. Kur janë tifozët në stadium ne e kemi më të lehtë të luajmë dhe ta japim edhe atomin e fundit në fushë. I ftojmë që nesër të jenë në numër sa më të madh në ndeshje dhe të na përkrahin në maksimum”, përfundoi Krasniqi.

You Might Also Like