Sporte të tjera

Klubi Rotarian ”Gjilani”, fal donacionit nga Kompania ABC design, ka dhuruar sot një tavolinë pingpongu për Konviktin e Nxënësve dhe të Studentëve në Gjilan

Klubi Rotarian ”Gjilani”, fal donacionit nga Kompania ABC design, ka dhuruar sot një tavolinë pingpongu për Konviktin e Nxënësve dhe të Studentëve në Gjilan.

Me rastin e dorëzimit të këtij donacioni është organizuar edhe turneu në pingpong me nxënës të shkollave të mesme të Gjimnazit “Xhavit Ahmeti”., Gjimnazit “Zenel Hajdini” dhe ekipi  i përbërë nga nxënësit dhe studentët e konviktit.

Bartësi i këtij projekti, rotariani Fatos Qerimi ka falënderuar donatorin, Kompaninë ABC design si dhe Klubin Rotarian “Gjilani”, që ka orientuar këtë donacion për Konviktin sepse kjo do t’u shërbejë për rekreacioni, në kohën e lirë, studentëve dhe nxënësve që janë të akomoduar në këtë institucion.

Fadil Rrahmani, pronar i Kompanisë ABC design, njëherësh edhe  president i RC Gjilani, ka thënë se sa herë që iu krijohet mundësia do të ndihmojnë  në çdo sektor, duke përfshirë këtu edhe atë të arsimit.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në Gjilan, Albanë Demiri, e cila ka falënderuar donatorin dhe Klubin Rotarian “Gjilani”, për këtë ndihmë duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, por edhe institucionet shkollore për organizimin duke premtuar se DKA-ja, do t’u qëndrojë afër përherë.

Përndryshe, garat në pingpong u organizuan në të dyja konkurrencat, ku morën pjesë më tepër se 25 nxënës dhe trajnerët e tyre.

Garat  ishin ekipore ku secili ekip luajti kundër secilit ekip,  në të dyja konkurrencat edhe te meshkujt edhe te femrat.

Në finale, në konkurrencën e femrave u takuan, ekipi i Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” dhe ekipi i konviktit, ku ekipi i Gjimnazit ngadhënjeu me rezultat 3 me 1. Ekipi fitues që udhëhiqej nga mësimdhënësi Blerim Shala, përbëhej prej lojtareve: Lena Osmani, Liza Shabani, Eldë Salihu  dhe Imrane Berisha .

Në konkurrencën e meshkujve në finale u takuan ekipi i Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” dhe ekipi i Konviktit, ku Gjimnazi ngadhënjeu me rezultat 4 me 0. Ekipi fitues që udhëhiqej nga mësimdhënësi Reshat Syla, ishte në përbërja: Dion Bejtullahu, Gerti Bajrami, Andi Zymberi dhe Aurel Haziri.

Vendin e tretë, në këtë konkurrencë, e zuri Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”

Përndryshe, organizatori ka paraparë shpërblime për fituesit. Vendi i parë shpërblehet me 80 euro, vendi i dytë me 50 euro dhe vendi i tretë me 20 euro.

Ndeshjet u zhvilluan në sallën e sporteve të Gjimnazit “Xhavit Ahmeti”.

You Might Also Like