Gjilan

Komunitetet në Gjilan nuk kanë vërejtje në gjendjen e sigurisë

Gjilan, 20 dhjetor / Komiteti për komunitete ka shqyrtuar të enjten draft-planin e punës për vitin 2019, të cilin e ka prezantuar kryesuesi Kemal Shahin dhe pas një diskutimi të gjerë, ka vendosur që miratimin e tij ta shtyjë për takimin e radhës, me qëllim që t`i përfshijë edhe propozimet tjera të anëtarëve të kësaj trupe komunale.

Përveç pikave kryesore të planit, që sipas Shahinit, janë vizitat nëpër institucione shtetërore si dhe vizitat nëpër lokalitetet e përziera të komunës së Gjilanit, për të realizuar takime me qytetarë si dhe çështjeve të tjera që do të paraqiten ndërkohë nga anëtarët, Komiteti po ashtu do të reagojë në të gjitha rastet e tjera, nëse paraqitet nevoja.

Po ashtu është thënë se Komiteti për komunitete duhet të japë mendimin dhe vlerësimin e vetë për të gjitha vendimet të cilat miratohen në Kuvend Komunal dhe në çfarëdo mënyre kanë të bëjnë me çështjet dhe interesat e komuniteteve.

Njëherësh, Komiteti është njoftuar edhe me gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, e cila, sipas rreshterit të Policisë së Kosovës, Bajram Hasani, në përgjithësi është e mirë dhe nuk ka pasur ndonjë rast mes komuniteteve që vlen të përmendet.

Përndryshe, policia është duke vazhduar me planet e veta operative të sigurisë, ka thënë Hasani.

Komiteti për komunitete i Komunës së Gjilanit konsiderohet ndër më aktivet në Kosovë sa i përket trajtimit dhe zgjidhjes së çështjeve të komuniteteve, të cilët tashmë janë integruar plotësisht në jetën e këtushme shoqërore dhe publike dhe nuk kanë asnjë problem me sigurinë dhe lëvizjen e lirë.

You Might Also Like