Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM) ka miratuar raportin e punës për këtë vit dhe njëkohësisht e ka miratuar me disa plotësime edhe planin e punës për vitin vijues.
“Raporti paraqet punën dhe aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2016 nga Komiteti dhe është në përputhje me kërkesat dhe përgjegjësitë që kjo trupë komunale”, ka thënë Arton Hoxha, kryesues.
Më tutje, ai ka nënvizuar se gjatë kësaj periudhe të vitit 2016, KPUMM ka mbajtur 8 takime të rregullta, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për procedurë të mëtejme disa plane rregulluese si dhe kërkesa tjera të ndryshme nga drejtoria përkatëse.
Detyrë e këtij Komiteti është që të lehtësojë punën e Kuvendit të Komunës në procesin e vendimmarrjes, me analiza profesionale, konsultime dhe angazhime konkrete në fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor, ka thënë Hoxha.
Florina Zymberi (PDK) ka thënë se plani i punës së Komitetit nuk është i harmonizuar me planin e drejtorisë së linjës. Drejtoria e Urbanizimit është e obliguar që të sjellë raportin e punës për këtë vit si dhe planin për vitin 2017, ka thënë ajo.
Naim Shaqiri (LDK) ka thënë se ne këtu po flasim për punën tonë dhe jo të drejtorisë. Edhe sa i përket planit të punës, Shaqiri tha se Komiteti duhet të ketë një plan të vetin, sepse nuk mund të mbetet rob i drejtorisë.
Nafije Kadriu (VV) ka paraqitur pesë propozime, që kryesisht kanë të bëjnë me planet rregulluese dhe ka kërkuar që ato të përfshihen në planin e punës për vitin 2017.
Arton Hoxha, kryesues i KPUMM, ka premtuar se në planin për vitin 2017 do të përfshihen vërejtjet dhe plotësimet e anëtarëve të kësaj trupe komunale. “Ky është një plan yni orientues, i cili mund të plotësohet gjatë vitit”, ka thënë Hoxha.
……………………
Zyra për Informim