Gjilan, 25 shkurt 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me nënkryetaren Leonora Morina – Bunjaku, ka pritur sot në takim drejtoreshën e projektit të ri të USAID-it për kontratë sociale, Dr. Silvia Susnjic.
Në takim është diskutuar lidhur me mundësinë e përfshirjes së Komunës së Gjilanit në projektin, i cili ka të bëj me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe në planifikim.
Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, pasi falënderoi përfaqësuesit e USAID për vizitën, ka thënë se politika fillon prej nivelit lokal, ku kryetari i Komunës dhe përgjegjësit e institucioneve janë afër qytetarëve e afër problemeve, për të shtuar se mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtyre problemeve është duke i përfshirë ata në komunikim.
“Me përfaqësuesit e USAID-it diskutuam për disa çështje të rëndësishme, mes tjerash përfshirja në vendimmarrje e qytetarëve edhe në planifikim, projekt ky që do të fillojë së shpejti e besoj që këtu do të jetë e përzgjedhur edhe Komuna e Gjilanit. Ka të bëjnë me mënyrën se si të komunikojmë me publikun, por edhe përgjithësisht ndryshimi i komunikimit të qytetarëve me institucionet lokale, që ndikimin final mund ta ketë edhe në ngritjen e besimit në institucionet e nivelit lokal, ku zgjidhja e problemeve është më e lehtë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Pasi e falënderoi për pritjen, drejtoresha e projektit të ri të USAID-it për kontratë sociale, Dr. Silvia Susnjic, tha se shpreson që Gjilani të jetë e përfshirë në mesin e pesë komunave në kuadër të këtij projekti.
“Projekti ka për qëllim pjesëmarrjen e qytetarëve në konsultimet publike dhe të forcojë urat në mes të institucioneve lokale dhe qytetarëve për t’i zgjidhur problemet. Kah fundi i marsit do të vendosim se cilat prej pesë komunave do të jenë partnere dhe ndihem mirë që Gjilani mund të jetë njëra prej tyre”, ka thënë Susnjic.