Gjilan

Kuvendi i Gjilanit solidarizohet me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Gjilan, 26 nëntor / Kuvendi Komunal i Gjilanit ka shprehur dhembje për viktimat e tërmetit në Shqipëri dhe njëherësh edhe solidarizimin me familjet e prekura nga kjo fatkeqësi e rëndë natyrore, ndërkohë që i ka bërë thirrje ekzekutivit që brenda mundësive ekzistuese t`iu dalë në ndihmë zonave të prekura.

Ndërkaq, qytetarët dhe shoqatat e ndryshme janë inkurajuar që të organizohen për të ndihmuar në çfarëdo mënyre personat dhe familjet e prekura nga lëkundjet e fuqishme të tokës.

“Në emër të institucioneve komunale shprehim dhembjen tonë për familjet e goditura dhe solidarizohemi e ndajmë dhembjen me to në këto momente të vështira që po kalojnë, pas fatkeqësisë natyrore”, ka thënë Shkresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, që sot mbajti seancën e rregullt për muajin nëntor.

Në vazhdim të seancës, Kuvendi miratoi rregulloren për tatimin në pronë për vitin 2020, harmonizimin brenda kategorisë së pagave në Komunën e Gjilanit, të cilin e arsyetoi Zijadin Maliqi, drejtor i Financave, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për ngritjen e shtatores së heroit “Agim Ramadani”, që e arsyetoi Bekim Bajrami, drejtor për Urbanizëm, projektin e përgjithshëm të manifestimit “Flaka e Janarit” 2020, që e paraqiti Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, kërkesën për ndarjen edhe të 20 bursave shtesë, meqë janë në dispozicion edhe 10 mijë euro, që në emër të komisionit e arsyetuan Burim Berisha e Gentrit Murseli si dhe u informua për punën e deritashme në hartimin e planit zhvillimor komunal (PZHK) dhe hartës zonale të komunës.

Kërkesa për participim në ngritjen e shtatores së heroit Agim Ramadani si dhe projekti i manifestimit “Flaka e Janarit” 2020, kanë qenë dy çështjet të cilat kanë marrë më së shumti vëmendjen e këshilltarëve komunalë.

Nevzad Isufi (LVV) tha se në parim nuk është kundër këtij projekti, por vërejtjet e tij kanë të bëjnë me procedurat, që sipas tij, nuk janë përfillur në tërësi, prandaj do të abstenojë.

Megjithëse u pajtua me vërejtjet e parafolësit, Isa Agushi (PDK) tha se grupi i tij i këshilltarëve i jep qind mbështetje kërkesës për ngritjen e shtatores së Agim Ramadanit, duke falënderuar investitorin AR Katana për pjesën tjetër të punëve që ka kryer në këtë projekt, që është ndërmarrë nga Këshilli lokal i Zhegrës.

Njësoj, kërkesa u përkrah edhe nga grupi i këshilltarëve të LDK-së, me ç`rast Shemsedin Elezi tha se shtatorja ekzistuese në sheshin e Gjilanit, nuk ka përfaqësuar plotësisht karakteristikat dhe dimensionin e real të Agim Ramadanit.

Brkim Bajrami, drejtor për Urbanizëm, sqaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje ndërmjet Komunës, Këshillit Organizativ, OVL dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për zhvendosjen e shtatores ekzistuese nga qyteti në Zhegër dhe vendosjen e shtatores së re, në vend të saj, për çka Komuna është treguar e gatshme të participojë me 40 mijë euro.

Sa i përket projektit të manifestimit “Flaka e Janarit” 2020, Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, ka thënë se tashmë është themeluar bordi dhe grupet punuese si dhe janë dorëzuar projekt-programet për secilën shtyllë të manifestimit.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me interesimet e opozitës, rreth anës financiare si dhe konceptit të manifestimit, Limani tha se “Flaka…2020” do të ketë disa ndryshime cilësore te secila shtyllë e saj, prandaj është rritur pak edhe kostoja.

Shefik Surdulli (PDK) ka thënë se shqetësues është fakti që një manifestim si “Flaka e Janarit”, i cili mbërthen në vete vlera kombëtare në të katër shtyllat e saj kryesore, nuk po përfshihet ende në kalendarin e manifestimeve qendrore.

Sa i përket planit zhvillimor komunal dhe hartës zonale dokumenti, Bekim Bajrami e Fadil Sherifi nga Urbanizimi kanë thënë se për hartimin e këtij dokumenti janë respektuar të gjitha procedurat, përfshirë edhe debatet dhe dëgjimet publike.

Në pjesën e interesimeve konkrete të këshilltarëve Ibish Ibishi, Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Isa Agushi, Burim Berisha, Arbëresha Hyseni, Xhevat Demiri, Anila Tusha, Arijeta Rexhepi, Arianit Sadiku, Riza Abdyli, Arta Nuhiu dhe të tjerë, janë përgjigjur drejtorët Nevzad Rushiti (DIK), Nazim Gagica (DKA), Deniza Limani (DKRS), Naser Korça (DSHP) e Sami Spahiu (DMSH).

You Might Also Like