Telegram Ngushëllimi
E dashur familje Dauti,
E kam fort të sikletshme dhe fort të zorshme që sot t’i shkruaj fjalët lamtumirëse për historianin, publicistin dhe studiuesin tonë të shquar, mikun tim Daut Dauti.
Unë kam pasur rastin të punojmë së bashku në kohë lirie, kur po vinim bazat e shtetndërtimit e bashkëpunimit, e ku shquheshim, mbi të gjitha, për pragmatizmin e madh politik. Bëhet fjalë për më shumë se dy dekada më parë, që sot, fatkeqësisht, ky pragmatizëm nuk ekziston.
Në takimet në Qeverinë e dytë të pas luftës, Parlament e në institucionet e Britanisë së Madhe, nuk ka se si të mungonte Dauti, duke e bërë punën e madhe profesionale si zëdhënës qeverie gjatë përcaktimit të Statusit Final të Republikës së Kosovës.
Dauti ishte intektual par excellance, bashkëpunëtor i jashtëzakomshëm dhe mik i madh.
Ai ishte njeriu i cili me punën e tij prej studiuesi të rrallë, ia hapi dyert vetës në një prej qendrave botërore siç është Londra, për t’u bërë shembull i madh dhe një pjesë e studimeve të tij sot gjendet në bibliotekat më me renome në botë.
Nëpërmjet punës së tij shkencore prej studiuesi të rrallë, ai ndërtoi bashkëpunim me historianët më me renome në botë, siç është Tim Judah, për t’i shkërrmoqur edhe më tej mitet serbe dhe për ta zbardhur historinë shqiptare me objektivitet e profesinalizëm të pashoq.
E dashur familje Dauti, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e këtij burri të madh. Ngushëllime edhe miqve, kolegëve e bashkëveprimtarëve.
Lamtumirë, miku im!
Gjilan, 06 shtator 2026
Lutfi Haziri,
Nënkryetar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës





