TIMO MËRKURI
( Shënime për dymbëdhjetë librat e serisë HYJNORJA IME JE TI , në katër vëllime, duke u përqëndruar më tepër në Librin e dymbëdhjetë, PËR SHPIRTIN TËND )
“Sabit Rrustemi është nga poetët e rrallë të botës sonë që me prirje
dhe me përkushtim të veçantë ka bërë objekt poetik dashurinë…”
Anton Nikë Berisha
I.
Në qoftë se pas leximit të librave poetikë të serisë “Hyjnorja ime je ti” të Sabit Rrustemit, do përballemi me thënien e Persi Shellit se:“Poezia është kujtesa e çasteve më të mira, më të lumtura të mendjeve më të lumtura e më të mira”, me siguri që këtë përkufizim do ta rezervonim pikërisht për poezinë e këtij autori dhe atë vetë dhe jo rastësisht. Sabit Rrustemi është i vetmi poet, jo vetëm në letërsinë shqipe që i ndërton dashurisë një tempull prej dymbëdhjetë vëllimesh poetike, shtrirë kjo në një hapësirë prej 14 vjetësh (2008-2021). Ajo që duhet theksuar me këtë rast është fakti se poezitë e këtyre vëllimeve janë krijuar në një moshë të pjekur krijimtarie, çka ka bërë që niveli i tyre artistik të jetë i rafshit të epërm. Që nga vargu i parë i librit të parë dhe gjer te vargu i fundit i librit të dymbëdhjetë, më shumë se sa lexon, ndjen dhe përjeton një stinë dashurie në një botë ku “andralla” e vetme e jetës është dashuria, të cilën poeti na e “shet ”. Dihet që Dashuria ka “andrallat” më të shumta, por edhe më të bukurat mbi dhe. Madje ajo edhe dhimbjen e ka të “bukur”, poezi më vete.
Nuk na habit fakti që Sabit Rrustemi shkruan e “shet” poezi të bukura dashurie por të impresionon fakti se këto poezi dashurie,pavarësisht kohës kur janë shkruar, viteve kur janë përjetuar ende janë me aromë rinie, plot “gjelbërim”, thua se mosha e dashurisë nuk ka as vjeshtë e as dimër, por veç pranverim, ku dhe kur “rriten” lisat që synojnë yjet e qiellit. Vargjet çelin në poezi natyrshëm, si bisqet e njomë në trungun a degët e një lisi të “moçëm”, duke formuar një kurorë të re, të gjelbër që të tregon për së largu se këtu është pranverë.
Brenda Teje jam
nga zanafilla e këndej
më mirë askund s’ e kam
………………………………….
Koha e ikur
në një të nesërme kthehet
për t’më parë si të dua
E dashur
këtë ëmbëlsi të hidhur jete
që e kam shijuar
prapa këtyre qiejve po e lë
Deri në amshimin e pajetuar
më mjafton vetëm Ti
(MË MJAFTON VETËM TI, 17 dhjetor 2020)
II.
Poezitë e dashurisë së Sabit Rrustemit kanë një muzikalitet nëpër vargje, që në rastin e parë të krijohet përshtypja se buron nga vetë tema e dashurisë, por mjafton që të lexosh disa poezi të tij, ku heroi qëndron pak i menduar a i “trishtuar” nga vonesa e vashës dhe të ndjesh të njëjtin muzikalitet nëpër vargje të ngashëm me “melodinë” e gjetheve që i ledhaton flladi që fryn nëpër lisa apo rrahjen e krahëve të një trumbe zogjsh që fluturojnë përmbi pyll.
Një mal ëndrrash që i pashë e më ikën
i lashë mënjanë
e kah Ti u nisa.
Asnjë shenjë Tënden s’e kisha
pos një portreti shfaqur pas shiut
në murin e kaltër të shpirtit tim
sa qiellor
sa engjëllor
që s’arrihej
s’prekej
vetëm ndjehej e shijohej
si ëndrra më e pafajshme
që shkrihej syve të mi.
(PËR SHPIRTIN TËND)
A nuk të vjen të marrësh kitarën dhe t’i këndosh më zë rinie këtëo vargje?
Duke kërkuar burimin e këtij muzikaliteti në poezinë e tij, të tërheq vëmëndjen fakti se Sabit Rrustemi, pavarësisht se është një poet ndër më të mirët në poezinë shqipe, ndonëse kishte patur mundësinë dhe të drejtën të sistemohej në kryeqytet, jeton pranë Gjilanit, në rrëzë të malit të Çepurit, shpatet e të cilit i ka “mbjellur” me lisa poezie, të cilët janë rritur e kanë formuar një pyll që të fton ta vizitosh shpesh.. Po të shohësh me vëmëndje poezitë e Sabit Rrustemit duket se janë shkruar diku rrëzë një shpati të këtij mali, te ndonjë gur a ndonjë krua, mbështetur te ndonjë lis a shtrirë në ndonjë livadh të cilëve shpesh herë u citon dhe toponimin.Është pikërisht ky ambient i frymëzimit poetik që i ka përcjellë nëpër vargje muzikalitetin e tij natyror. Tipike naimiane.
Këtu shohim se Sabit Rrustemi për “hatër” të poezisë i ka qëndruar larg Prishtinës zyrtare dhe më “ndihmën“e dashurisë ka ngritur një “kryeqytet” poetik, ku zë fill meridiani i parë i poezisë së dashurisë, si meridiani i Griuniçit. Ai i jep Prishtinës letrare orientimet dhe koordinatat estetike të kohës sonë, sepse ai ka ngritur tempullin poetik të dashurisë me besimin se dashuria do e bëjë botën më të mirë. Ju ftoj të nisemi për te ky tempull, ku kryefalltari poetik Sabit Rristemi do na thotë nëpërmjet vargjeve të ardhmen e dashurisë sonë. Unë kam besim te Sabiti dhe te varg-thënia e tij sepse ai është një poet i thellë në ndjenja e mendime, i mbushur me një qetësi poetike pakëz të trishtueshme, si të gjithë të dashuruarit që presin një shënjë a një fjalë nga Zoti a nga vajza.
Sabit Rrustemi është i dhënë pas artit, më saktë duhet thënë se ai është shkrirë e bërë pjesë e artit poetik. Ai jeton nëpër poezi dhe kjo dallohet lehtë po të shohësh ritmikën e krijimeve të tija, gati të përditëshme. Ai frymon poezi dhe kjo është e dukshme te vargjet e tij poetike të krijuara me një gjuhë të qartë e të lexueshme nga kushdo, si ajri që thithet njësoj nga të gjithë njerëzit.
III.
Ka marrë dhe diçka tjetër kjo poezi nga ambienti i frymëzimit. Sabit Rrustemi shkruan me varg të lirë, por pikërisht ky varg ka ndikuar që poezia e tij të jetë plotë dritë, si drita në pyjet me nivele të ndryshme lartësie lisash. Po kështu dhe ajri mes vargjeve është plot oksigjen si ajri nëpër pyje. Nuk lodhesh duke e lexuar këtë poezi, qoftë edhe duke e lexuar me tonalitetin e një recitimi. Të duket se ajri i pastër i vargjeve mbush mushkëritë e tua gjatë leximit(Mushkëritë e mia/petaleve të saja marrin frymë/si vetë imja jetë) dhe kupton se nuk është efekti i temës së poezisë, por është efekti i stilit të tij poetik. Në poezitë e Sabit Rrustemit nuk rri të mendosh domethënien e vargjeve apo të metaforave, ato i ndjen menjëherë shpirtërisht edhe kur ndonjë fjalë a varg nuk e kupton shprehimisht, edhe kur ndonjë metaforë të “sheh”me sy të ulur, si shikimi i një djali të drojtur, në pritje të fjalës së vajzës që e ka mbretëreshë nëpër ëndrat e tij.
IV.
Sabit Rrustemi shkruan me vargje të lira, madje edhe me strofa të paregullta. Ka
një afri me stilin e vargut të Ali Podrimes dhe Mirko Gashit , ndonëse me një nerv të vetin.. Ka stilin e tij në vargje ku veç të tjerash në një poezi ndërthuren edhe strofat me disa vargje të shoqëruar me strofat me dy ose një varg. Interesant është fakti se çdo strofë e poezive të Sabit Rrustemit, qoftë strofë shumë vargore apo një e dy vargore, e marrë dhe e shkëputur më vete, ka edhe kuptimin e një poezie të shkurtër. Ka edhe më vargu i tij, shpesh herë në mes të strofave edhe një varg i vetëm apo së paku dy vargje përbëjnë një strofë më vete, të paraprirë dhe të pasuar shpesh herë nga një strofë disa vargëshe. Këto vargje njëshe apo dyshe, në kontekstin e poezisë të konceptuar si “një pyll lisash” të lartë, shpesh ngjajnë me trungje pemësh të rrëzuar mbi vija uji a përrenj duke u bërë në këtë mënyrë“ura kalimi” për lexuesin për te strofa tjetër. Le ta shohim këtë që thamë psh te poezia LULJA E JETËS:
Në kopshtin e kësaj zemre
ngjitas meje sythoi
e çeli
Një botë me aromë plot
ma dhuroi
Erërash sa herë u shkund
a shirave u qull
imja dorë iu gjend pranë
dhe ky trup
ndërsa te poezia SECILA STINËE ETUR ËSHTË PËR TY këtë fenomen e konstatojmë edhe
me strofë një vargëshe:
Ato që i la stina e mëparshme
s’janë më
e pangopshmja kohë i zhbiu
dhe ato fryte jete që sillnin kënaqësi
Trungje të zhveshura mbetëm
para stinës së bardhë
Ardhja jote me ngrohtësi na mbështjell
shprush dhe nëpër dej
gacat e një zjarri të pashuar mbledh
Mos praj së riguari
derisa t’i njomësh majat e rrënjëve
thellësive të paprekshme
aty ku fija e dritës sate
I jep jetë një sythi të ri
Pastaj kthehet ajo stina e re
me njomësinë e buzëve tua
na bekon me dashuri
V.
Shpesh dëgjojmë të thuhet se qysh nga Homeri e gjer më sot në poezi janë rrahur gjithë temat e jetës dhe s’ka mbetur asnjë për t’u rrahur nga poetët e sotëm. Qysh këtu nis keqkuptimi mbi temat e ezauruara nga poezia. Po të flasim psh për temën e dashurisë, duhet të themi se vetë dashuria ka pafundësi tingujsh, dritash dhe ëndrash ku secili prej tyre është një poezi më vete. Në fakt, dashuria është një lëndinë e pamatë mbushur me lule të porsaçelura skaj më skaj, si hapësira qiellore mbushur plot me yje, ku çdonjëra prej tyre është një poezi më vete.
Rasti i poetit Sabit Rrustemi me dymbëdhjetë libra kushtuar dashurisë, pa pasur asnjë rast përsëritjeje (ndonëse edhe Homeri i urtë nganjërehë bie dhe fle gjumë mbi vargje) na tregon se edhe një temë si dashuria, për të cilën kanë kënduar të gjithë poetët e botës në të gjitha kohërat, ka një pafundësi kënd vështrimesh, mënyrash, stilesh e ngjyrash për të kënduar..
Pyesni po deshët Sabit Rrustemin, ai do t’ua thotë …
Sarandë, më 15.05.22021
_________________
Fusnotat
1.
Vëllimet e serisë HYJNORJA IME JE TI përfshijnë librat poetikë;
I-Vëllimi i parë:
1-Nën atë strehë zemre. In Tima 2009
2-Mëkatet që nuk i themi. In Tima 2010
3-Pjesa e pashuar e ëndrrës. In Tima 2011
II-Vëllimi i dytë:
4-Stina mbetet ajo që është. In Tima 2012
5-Me bekimin e një të diele. In Tima 2013
6-Stinëve që erdhën pa ty. In Tima 2014
7-Nëpër grimca të padukshme. InTtima 2015
III-Vëllimi i tretë:
8.Dhomave të harruara të shpirtit, In Tima 2008 -2015
9.Më ndez e pathëna jote, In Tima, 2016/17
10-Nëpër ëndrra të fjalëve, In Tima 2018/19
IV-Vëllimi i katërt :
11. Era përpush ndjenjave të mia, In Tima, 2020
12.Për shpirtin tënd, In Tima 2021
2.
Perifrazim I fjalës së Alda Merinit kur thotë:.”Çdo poet shet andrallat e tij më të mëdha”.
3.
Ndoshta kjo përafëri ka ndikuar tek unë që shkrimin tim për Mirko Gashin ta titulloja “Mali me lisa” duke i riprurë lisat poetikë edhe te ky shkrim.