Sot në 30 vjetorin e ndarjes nga jeta kujtojmë Prof.Dr. Xhavit Ahmetin, njërin ndër personalitetet më të shquara të Kosovës në fund të shekullit të kaluar.
E kujtojmë edhe ditën e kobshme të 21 nëntorit të vitit 1996, kur sot, e tridhjetë vjet më parë në një aksident komunikacioni, humbi jetën njëri ndër personalitetet më të spikatura të arsimit në Kosovë. Dr. Xhavit Ahmeti ishte profesor i shquar i Universitetit të Prishtinës, funksionar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më shumë se kaq, ai ishte shkencëtari dhe këshilltari politik për Arsim i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Sot pas tridhjetë vitesh, kushdo që do të pyeste se cilat janë tre figurat më të shquara që lanë gjurmë dhe kontribut të çmueshëm gjatë periudhës më të rëndë të okupimit të Kosovës dhe cilat janë figurat kyçe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më saktë të organizatës së parë politike në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, padyshim që do t’i veçoja tri: Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, ideologun e lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, akademik Fehmi Agani dhe këshilltarin politik e organizatorin e shquar të arsimit paralel në Kosovë, Dr. Xhavit Ahmeti.
Dr. Xhavit Ahmeti, përveç që ishte njëri nga promotorët e lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, ishte edhe gjeneratori kryesor i organizimit të sistemit arsimor paralel nën kushtet dhe rrethanat e okupimit të rëndë. Ai u angazhua pandalur në këtë segment të rëndësishëm, që ishte hallka kryesore e rezistencës shqiptare gjatë dekadës së rëndë të okupimit.
Dr. Xhavit Ahmeti jo vetëm që respektohej fuqishëm nga Anamorava, prej nga e kishte origjinën, por respektohej fuqishëm edhe nga bota akademike, mijëra mësimdhënës dhe qytetarë të Kosovës, pasi kontributi i tij çmohej fuqishëm në kohët më të vështira të ekzistencës sonë.
Duke folur për figurën poliedrike të Dr. Xhavit Ahmetit, dëshiroj të kujtoj se në mesin e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Presidenti Rugova e çmonte në veçanti personalitetin dhe përkushtimin e këshilltarit të tij për çështje të arsimit, duke besuar fort se në kushtet dhe rrethanat e reja të Kosovës së lirë e të pavarur, Dr. Xhavit Ahmeti do të ishte kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
Secili nga ne që ka pasur fatin të bashkëpunonte dhe ta njihte për së afërmi Dr. Xhavit Ahmetin, padyshim që na kujtohet pashmangshëm ideali i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kreativiteti i tij njerëzor e intelektual, si dhe optimizmi i tij për një Kosovë të lirë e sovrane, që ishte ëndërr e çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
I ndjeri Dr. Xhavit Ahmeti përmes personalitetit të tij reflektonte dije e dinjitet, urti e mençuri, si dhe guxim e mendjeprehtësi. Ai nuk shquhej vetëm në fushën e shkencës së tij ku ishte edhe pedagog në Universitetin e Prishtinës. Kur diskutoje me të, ai ishte njohës shumëdimensional edhe i fushave të tjera. Kur bisedoje për letërsinë, të krijonte ndjesinë se ishte shkrimtar. Kur fliste për muzikën, të krijonte bindjen se ishte kompozitor, por edhe kur fliste për zhanre të tjera, të artit dhe kulturës, Dr. Xhavit Ahmeti t’i krijonte të njëjtat ndjesi.
Dr. Xhavit Ahmeti ishte ndër të rrallët, i cili bashkëpunëtorët e tij nuk i vlerësonte përmes bindjeve politike, por përmes kontributit që ata jepnin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Dëshmia më e mirë për këtë është ceremonia e varrimit të tij, në të cilën morën pjesë mbi 200 mijë qytetarë jo vetëm të Kosovës, por edhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Prania e mijëra njerëzve në ceremoninë e varrimit të tij dëshmonte se çfarë personaliteti i dashur, kreativ e vizionar ishte Dr. Xhavit Ahmeti, kujtimi për të cilin nuk do të shuhet asnjëherë.
Dritë pastë shpirti i tij në botën e pasosur.
Prishtinë, 21 nëntor 2026





