Gjilan

Mexhit Devaja përkujton ish-presidentin Dr. Ibrahim Rugova

Mexhit Devaja përkujton ish-presidentin Dr. Ibrahim Rugova

Ish-kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Mexhit Devaja, ka kujtuar me respekt dhe emocion ish-presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, duke reflektuar për trashëgiminë e tij të madhe politike dhe njerëzore.

Përvjetori i 19-të i vdekjes së Dr. Rugovës u shënua disa ditë më parë, më 21 janar 2025. Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në jetën politike, shoqërore dhe kulturore të Kosovës.

Mexhit Devaja, i cili gjatë mandatit të tij si kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës ka pasur takime të shumta me Presidentin historik dr.Ibrahim Rugovën, ka ndarë kujtime dhe vlerësime për presidentin historik.
“Takimet me Presidentin Rugova kanë qenë përherë të veçanta. Ai ishte një njeri vizionar, me një qetësi dhe urtësi që të bënte të reflektoje. Përveç që ishte një lider i madh politik, Dr. Ibrahim Rugova kishte gjithmonë kohë për të mbështetur çdo iniciativë që shërbente për të promovuar vlerat e Kosovës. Si kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, kam marrë mbështetje të vazhdueshme nga ai për zhvillimin e sportit në vend,” ka thënë Devaja.

Ai shtoi se Presidenti Ibrahim Rugova ishte gjithmonë i interesuar për përparimin e rinisë dhe të sportit, duke parë në to një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të vendit.
” Presidenti Ibrahim Rugova, jo vetëm që na mbështeste, por na frymëzonte për të arritur më shumë. Ai e shihte sportin si një ambasador të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një forcë unifikuese për rininë dhe shoqërinë tonë,” theksoi Devaja.

Në një reflektim të veçantë, Devaja kujtoi një moment historik për hendbollin kosovar, kur më 18 dhjetor 2004, Kosova u pranua në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).
“Ishte një arritje e madhe për hendbollin dhe sportin tonë. Rugova ishte ndër të parët që na përgëzoi për këtë hap të rëndësishëm, duke theksuar se sporti është një dritare për njohjen e Kosovës në botë. Mikpritja dhe përkrahja që morëm nga Hassan Mustafa, kryetar i Federatës Botërore të Hendbollit, ishin po ashtu një shenjë e ndikimit që Kosova po fillonte të kishte në arenën ndërkombëtare,” tha Devaja.

Ai përfundoi duke vlerësuar se mungesa e një figure si Dr. Ibrahim Rugova ndihet ende sot.
“Shteti dhe gjithë shqiptarët kanë humbur një lider të madh, një njeri të urtë dhe vizionar që gjithmonë e vuri interesin e Kosovës mbi gjithçka tjetër. Trashëgimia e tij do të mbetet e përjetshme, dhe kujtimi për të do të jetë gjithmonë frymëzim për ne të gjithë,” përfundoi Devaja.

Dr. Ibrahim Rugova, i njohur si arkitekti i pavarësisë së Kosovës dhe simbol i unitetit kombëtar, mbetet një nga figurat më të dashura dhe më të respektuara në historinë e vendit. Përvjetorët e vdekjes së tij janë një moment për të kujtuar jo vetëm arritjet e tij të mëdha, por edhe për të reflektuar mbi vlerat e tij si lider, intelektual dhe humanist.

You Might Also Like