Gentjan Mezani beson se ky është vetëm fillimi i një pune të madhe që e pret ekipin e tij në vazhdim të kampionatit dhe kërkon kohë për futbollistët e ardhur nga kampionati shqiptar.
“Nuk duhet të shfajësohemi me këtë ndeshje, pasi që kemi luajtur shumë dobët në Mitrovicë. Por, duhet kuptuar këta futbollistë të cilët vijnë nga një kampionat tjetër dhe mënyra e lojës këtu është shumë më ndryshe. Kemi punuar gjatë javës për ti eleminuar gabimet e ndeshjes së parë dhe më erdhi mirë që sot nuk u shfaqën. Ekipi reagoi mirë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi që është vetëm fillimi i kampionatit dhe nuk duhet të kënaqemi me një tre pikësh”, deklaroi Mezani për “Super Sport Kosova”.
Objektivi? “Ju thash dhe më parë që duan të rrijmë me këmbë në tok, sepse një fitore nuk do të thotë asgjë. Por, besoj tek eksperienca e këtyre lojtarëve, pasi që janë lojtarë me bagazh të madh dhe që janë mësuar të fitojnë tituj. Duhet të punojmë shumë në vazhdim për të arritur objektivat që i kemi pranë vetës”, mbylli tekniku vlonjat.