Mehmetali Rexhepi
spërkatej me degë gjethesh të lagura
të mos e zërë gjumi i moshës madhore të gjetheve
t`i kundrojë si veshën skeletet e drunjve pemëve lisave
veshe trungun tënd me fletët e gjeometrisë së blertë të mendimit
ngrehu mbrehu rrëmbeje shndërroje në penë vetëtimën e rrufesë
kur të shkruash le t`i dalë shkëlqimi ngjyrës
bubullimat le të rrëshqasin joneve të zjarrit
në kulmin e kulmit të kurmit vrapit
zë në thua të fërkimit tepria e mllefit
frerët e rrezeve ngasin kuajt e padukshëm të jonizuar
kush hyri ndërmjet atij vringëllimi hidhërimi i ndeshjes i godet
të gjitha delet e kopesë pa sherre dhe vardisja e gjarprit
edhe vetë rrapi i radhës së mashtruar
gjeniu shtjelloi deri në thinja relievit nga ndërdyma
fushave të mbërthyera mëtoi gjithësisë të notojë
pos yll-kaltrës tij askund peshë as florinj
tori e tori mbështolli e u mbështoll
në perin e qepjes së urtisë dhe tha
e madhërishmja e papërmbajtshmja rrufe
çerdhen e zjarrmisë tënde në djersë e ke
humbja e gjumit e pikasi shkasin
Kalorësi i Pestë i Apokalipsit
i doli ndoresh Mirko Gashit
e bekuara e tmerrshmja e shkrepshmja rrufe
vetëtima uverturë risish e poemës të stinës së re
s`verbojnë krismat tua as shurdhojnë
burra të shpifur lakmitarë zhgualli të pathyeshëm
palcën prej qelqi t`ia lëmë sedrës së frikës
mençurinë intuitës le ta zërë në gjumë
t`ia lagë barotin e ta vë nën fre
prej qielli ta zbres të varroset në dhe
o Zot mos na gjuaj me gurë
prore le të rrjedh shiu të mos i dalë tymi
margaritar i lëngshëm rigon mallëngjim-ngazëllimi
i Shën Gjergjit
Gjilan, më 6 maj 2017