Kastrioti – Drita 3:2 (32:30, 13:25, 25:21, 26:28, 18:16)
Drita nuk ia ka dalë që për herë të pestë radhazi të fitojë Kupën e Kosovës në Volejboll, ngase në ndeshjen finale të luajtur në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” është mposhtur nga Kastrioti i Ferizajt me rezultat 2:3.
Se Drita do ta ketë mjaft vështirë u pa që në setin e parë, të cilin me shumë mund, pas një rezultati maratonik e fituan volejbollistet e Kastriotit me rezultat 32:30. Në setin e dytë ka qenë Drita që ishte mjaft bindëse, duke ngadhënjyer me rezultat 25:13 dhe u duk se Drita do të rikthehej fuqishëm në lojë, gjë e cila nuk ndodhi, ngase qysh në setin e ardhshëm sërish Kastrioti ishte më i mirë kur ngadhënjeu me rezultat 25:21. Në setin e katërt ka qenë sërish Drita që ia ka dalë të fitojë me rezultat të ngushtë 28:26, kurse seti i fundit ishte një dramë e vërtetë, kur Drita pati rast të që t’a fitojë ndeshjen, ngase dy herë pati mundësi që me një pikë ta fitojë ndeshjen, por në fund ato i humbën tri pikë radhazi dhe me pikë 18:16, Kastrioti e fitoi edhe setin e fundit dhe ndërpreu serinë e Dritës, duke ngadhënjyer në Kupën e Kosovës.