Libri

Në Gjilan u promovua libri “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944),, i autorit Gjet Ndoj

Në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale ,,Fan S. Noli“ është promovuar libri “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944) i autorit nga Tirana, Gjet Ndoj, i cili ishte drejtor i Arkivit t Shtetit në Shqipëri, shkruan kryelajmi.com.

Fillimisht Ismet Azizi, kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, në cilësinë e organizatorit, ka thënë se ky është një libër i rrallë, i vlefshëm dhe shumë i rëndësishëm, ngase autori duke qenë drejtor i Arkivit të Shtetit ka arritur të sjellë fakte e të dhëna me të cilat përmbys gjithë historiografinë e tetëdhjetë viteve të fundit.  Ky libër tregon për qeverisjen e atyre viteve me rëndësi për shqiptarët, është libër me vlerë, që sjellë fakte jo vetëm nga Shqipëria, por edhe kudo nga trevat tjera shqiptare, ka thënë studiuesi Ismet Azizi, i cili ka dhënë një vështrim të gjerë për këtë libër, duke dhënë hollësi nga gjithë kapitujt e këtij libri voluminoz.

Fitim Rifati, studiues nga Instituti i Historisë në Prishtinë, nëpërmjet një vështrimi brilant për këtë libër, në kumtesën e tij ka bërë një hyrje për gjendjen e shqiptarëve para Luftës së Dytë Botërore, për metodat dhe format e dhunës që përdorën pushtuesit serbë ndaj popullatës shqiptare, duke u ndalë me theks të veçantë në rajonin e Gjilanit me rrethinë. Sipas studiuesit Rifati, autori i këtij libri Gjet Ndoj i jep përgjigje shumë pyetjeve për qëndrimin e shqiptarëve gjatë pranisë gjermane, italiane e bullgare. Autori ka gjetur se kjo ka qenë një periudhë ku erdhi në shprehje avancimi dhe konsolidimi i shqiptarëve e sipas Rifatit, autori i librit përdori dokumente arkivore, jep interpretime logjike të qëndrimeve dhe se vepra “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944),, është një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare.

Jeton Idrizi, studiues i historisë, duke folur për këtë libër, tha se shqiptarët ishin të parët që u përballën me agresionin fashist, kurse autori i këtij libri përdor dokumente nga të gjitha arkivat e Shqipërisë dhe jashtë saj, përdor literaturë të bollshme, shtypin e kohë dhe burime të tjera. Idrizi është fokusuar tek kapitujt që flasin më tepër për Kosovën dhe tokat e liruara, për arsimin shqip në atë kohë, rolin e madh të ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, rolin e qeverisë Mitrovica dhe qëllimin që e kishte për ruajtjen e territorit të Shqipërisë.

Ndre Molla, studiues nga Tirana, për këtë libër tha se është ndër më të veçantit dhe se autori Gjet Ndoja i ka bërë një shërbim të madh historiografisë shqiptare.

„Historia e vërtetë e kësaj periudhe ishte e pluhërorosur dhe e varrosur e në librin e Gjet Ndojës ne njihemi me historinë e vërtetë, i cili në mënyrë të përsosur solli të dhëna me vlerë“, tha Molla.

Vet Gjet Ndoj autor i librit “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944),, ka falënderuar pjesëmarrësit dhe nderin që i është bërë kudo në Kosovë gjatë promovimit të librit të tij, duke theksuar se ky libër është produkt i një pune të mundimshme disavjeçare dhe se ky libër do të mund të shërbejë për studime edhe të mëtejme në këtë fushë.

Pas promovimit, është mbajtur edhe një debat ku folës të shumtë kanë çmuar lart librin “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944),, të autorit tiranas Gjet Ndoj. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like