Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është formuar Eko-klubi, i cili për qëllim ka mbrojtjen e ambientit, i cili aktivitetet do t’I mbajë brenda ditëve të mësimit.
Siç ka theksuar Naser Aliu, profesor i biologjisë, në një mjedis të shëndetshëm edhe trupi është i shëndetshëm, andaj ruajtja e mjedisit është e një rëndësie të veçantë.
Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht më tepër ka ndotës të mjedisit se sa që ka mbrojtës të mjedisit, andaj kjo dukur është shqetësuese dhe duhet vetëdijësim i popullatës, duhet që të mos demoralizohemi, port ë punojmë me ngulm në këtë drejtim, ngase mjedisin duhet shfrytëzuar deri në kufi të caktuar dhe atë t’ua lëmë edhe gjeneratave të tjera që do të vijnë pas nesh. Sipas Aliut, pa shëndet mjedisor nuk ka as shëndet jetësor dhe njerëzor.
Në këtë drejtim ditë më parë nga ekipi i Center for Education and Development of Environment (CEDE) është mbajtur një punëtori në të cilën kanë marrë pjesë drejtori i shkollës, Bekim Mustafa si dhe profesori i biologjisë, Naser Aliu dhe ku gjatë takimit janë prezantuar qëllimi, objektivat dhe aktivitetet kryesore të një projekti dhe ku është diskutuar roli i komunave, shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve në zbatimin e aktiviteteve të planifikuara.
“Përmes projektit ne si shkollë do të konkurrojmë te energjia e gjelbër, nëpërmjet formave alternative për prodhimin e energjisë”, ka thënë Aliu, që ka shtuar se është hartuar kalendari i aktiviteteve dhe CEDE do të mbajë trajnime dhe nxënësit tanë do të punojnë në hartimin e projekteve.
Tri projektet më të mira do të shpërblehen dhe do të ketë edhe gara.
Kryetare e Eko-klubit është zgjedhur nxënësja Laida Ismajli, e cila ka kërkuar nga nxënësit që të mbrojmë mjedisin, të punojmë e të angazhohemi dhe se angazhimi i Eko-klubit nuk do të mungojë në këtë drejtim.
Pos kryetares së Eko-klubit, Laida Ismajli, në kryesi janë zgjedhur edhe nxënësit Art Arifi, Valëza Maliqi dhe Anisa Muji./kryelajmi.com/.





