Kanë filluar sot me një solemnitet rasti në fshatin Sadovinë e Jerlive, punimet në ndërtimin e fushës ndihmëse të futbollit. Me këtë rast kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Milot Lala, kanë marrë pjesë në fillimin e këtyre punimeve. Ata u mirëpritën jo vetëm nga banorët e këtij lokaliteti, por edhe nga sportdashësit. Ky projekt po realizohet në kuadër të bashkëpunimit të Komunës së Vitisë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti para fillimit të punimeve në ndërtimin e kësaj
fushe ndihmëse të futbollit, ndër tjerash ka falënderuar Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Federatën e Futbollit të Kosovës në veçanti ish presidentin e ndier të FFK-së, legjendën e futbollit Kosovar, Fadil Vokrri por edhe Agim Ademi, presidentin e tanishëm të FFK-së që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti në komunën e Vitisë. Kryetari Haliti po ashtu tha se kjo komunë në bashkëpunim me partnerët e saj po punon shumë në krijimin e hapësirave të mirëfillta për sportistët vitias duke përmendur se vetëm në një periudhë të shkurtë në komunën e Vitisë, kanë filluar punimet e ndryshme në sektorin e sportit si: stadiumi i qytetit të Vitisë, palestra sportive, rivitalizimi i stadiumit të “Vllaznisë” së Pozharanit ish anëtare e Supërligës së Kosovës e po e nisim edhe këtë fushë ndihmëse në Sadovinë të Jerlive.
Tutje ai tha se ata kanë punuar edhe në krijimin e fushave sportive në lokalitetet e ndryshme të kësaj komune. Kryetari Haliti tha se me realizimin e këtyre projekteve sportistët do të kenë hapësira më të mira për të stërvitur dhe të treguar sukseset e tyre.
Ndryshe, kjo fushë që po nis së ndërtuari në Sadovinë të Jerlove ishte një projket që ishte përfituar falë KF Vllaznia e cila vitin e kaluar ishte në Supërligë dhe ishte dasht të ndërtohej në Pozharan por Kuvendi komunal kishte marrë vendim me shumicë votash që kjo fushë të ndërtohej në Sadovinë!! Aziz Zuka