Gjilan

Opozita në Kuvendin e Gjilanit nuk pranon të mbajë seanca pa transmetim online të tyre

 

Opozita në Kuvendin e Gjilanit nuk pranon të mbajë seanca pa transmetim online të tyre

Gjilan, 25 prill / Kuvendi i Komunës së Gjilanit nuk ka arritur ta mbajë seancën e sotme, e cila ka filluar në një atmosferë tensionesh në relacionet pozitë-opozitë dhe është dashur të ndërpritet për mungesë kuorumi.

Opozita e cila përbënë shumicën në Kuvend, nëpërmjet Avdyl Aliut (LDK) e Bujar Nevzatit (PDK) ka deklaruar se nuk është e gatshme të marrë pjesë në seancë për shkak të mungesës së transmetimit online të saj.

Opozita (LDK, PDK, AAK, Vatra, LS) e kanë lëshuar seancën me arsyetim se nuk ka kushte për vazhdimin e saj, pasi qytetarëve nuk po u mundësohet të ndjekin online punimet e Kuvendit.

Ismajl Kurteshi (LVV) tha se kjo krizë duhet të zgjidhet në bazë të ligjit, duke shtuar se Udhëzimi Administrativ 04/2023, neni 6 thotë se Organet e Komunës janë të obliguara të sigurojnë qasje aktive në përdorimin e sistemit të teleprezencës, me qëllim të krijimit të kushteve për monitorim dhe vlerësim të proceseve për mekanizmat monitoruese të MAPL-së, palëve të interesuara dhe institucioneve tjera në mbledhjet e Kuvendit të Komunës, përmes stafit të autorizuar të komunës.

Komuna mund të përdorë aplikacione si live meeting office comunicator apo transmetime direkte në you-tube apo rrjetet sociale për të garantuar publicitet, si dhe çfarëdo platforme të ligjshme për të transmetuar drejtpërdrejtë ngjarjen.

Pra UA nuk flet për transmetim të seancave përmes medieve, tha Kurteshi.

Ky sqarim nuk e bindi opozitën, e cila nuk pranoi të rri në seancë pa u siguruar transmetimi i saj online, siç ka qenë deri më tani, për disa vite.

Në këto kushte, kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu konstatoi se seanca ndërpritet në mungesë kuorumi dhe për vazhdimin e saj, këshilltarët komunalë do të njoftohen me kohë.

Përndryshe, në rend dite të kësaj seance kanë qenë këto pika: Raporti financiar për periudhën janar-mars 2024, rishqyrtimi i vendimit për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa (kërkesë e

MAPL), plani lokal i veprimit për cilësi të ajrit, emërimi i Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, emërimi i komisionit për përcaktimin e listës  së lokacioneve  dhe hapësirave  publike  për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, brenda territorit të komunës së Gjilanit, emërimi i këshillit komunal për vlerësimin e meritave historike  e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës  së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, informata rreth manifestimit “Flaka e Janarit” 2024, informata rreth mbjelljeve pranverore, diskutimi rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara, diskutimi rreth organizimit të trafikut publik brenda qytetit të Gjilanit, raporti i punës i komisionit për zgjedhjen e këshillave lokalë si dhe informata rreth projektit të rrugës “Hamdi Kurteshi”.

You Might Also Like