OPINION

Pa reciprocitet nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Shkruan: Ismajl Kurteshi
Pa reciprocitet nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

 Injorimi i kërkesës parimore, nga Serbia dhe ndërmjetësuesit, për trajtim të barabartë të palëve,  është pengesë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e jo insistimi i palës kosovare për reciprocitet që garanton zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejt.
   Reciprocitetin si kusht për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë po e injorojnë si Serbia po ashtu edhe ndërmjetësuesit  evropian.
 Serbia që po përfiton nga BE-ja shuma të mëdha parash, investime të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e  zhvillimin ekonomik të saj dhe ajo që është më e rëndësishmja, Serbia po synon të bëhet pjesë e këtij Unioni, pa i respektuar parimet bazë të BE-së, po tolerohet nga ndërmjetësuesit.
Për t’i dhënë fund kësaj anomalie dhe zvarritjes së këtij problemi, të krijuar pa asnjë arsye  nga Serbia, Bashkimi Evropian dhe SHBA duhet njëherë e mirë ta detyrojë Serbinë  t’i respektojë dokumentet dhe parimet bazë të BE-së.
  Serbia nuk bën të përkrahet nga BE-ja, derisa po i shkelë  të drejtat humanitare dhe kombëtare të shqiptarëve të Luginës.
Ndërmjetësuesit nuk bën ta përkrahin kërkesën e Serbisë për autonomin e komunitetit serb në Kosovë dhe në të njëjtën kohë t’i injorojë kërkesat e shqiptarëve të Luginës, që në asnjë moment nuk i tejkalojnë ato të Serbisë për serbët e Kosovës.
 Sado e rëndësishme që të jetë  shkëputja e Serbisë nga Rusia, për të cilën po angazhohen shtetet e Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nuk mund të arrihet përmes një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila i dëmton interesat e shqiptarëve, qoftë në Kosovë qoftë në Luginë. Madje edhe nëse një marrëveshje e tillë nënshkruhet nga palët nën presionin e fuqive të mëdha, normalizimi në mes të Kosovës dhe Serbisë  nuk do të ndodh. Shqiptarët nuk do të pajtohen kurrë me padrejtësitë  e imponuar, ndërsa Serbia do të vazhdojë të kërkojë koncesione të tjera që do t’i dëmtojnë shqiptarët.
  Historia na mëson se marrëveshjet e padrejta janë të destinuara të dështojnë. Në të kaluarën nuk kanë munguar vendime e marrëveshje të imponuara, që i kanë dëmtuar të drejtat e shqiptarëve, por përkundër vendimeve të fuqive të mëdha,  qetësi në Ballkan nuk ka pas. Prandaj në të ardhmen nuk do të duhet të humbet kohë dhe energji për diçka që është provuar, por ka dështuar.

 Serbia duhet të heq dorë nga logjika e saj hegjemoniste për mbisundim mbi popujt tjerë dhe ta pranojë një marrëveshje të drejtë, përmes të cilës dy popujt dhe pakicat e tyre kombëtare do trajtohen barabarësish, sepse zgjidhje tjetër nuk ka.
  Injorimi i kërkesës parimore, për trajtim të barabartë të palëve, që është në përputhje të plotë me të gjitha dokumentet e BE-së, është pengesë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e jo pala kosovare që po insiston në reciprocitet që garanton zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejt.
  Nuk thuhet kot se politika është art i së mundshmes. Ka ardhur koha që Serbia dhe përkrahësit e saj tradicional ta kuptojnë se marrëveshja ose duhet të jetë e drejtë ose marrëveshje nuk do të ketë.
Ismajl Kurteshi, shtator 2023

You Might Also Like