OPINION

Pagesa për praktikën e studentëve nga Institucionet e Arsimit të lartë nevojë imediate

Shkruan: MSc. Skender Berisha

Dihet qartë se studentët praktikantë të cilët kryejnë edhe praktikën obligative gjatë studimeve u shërben që të fitojnë një përvojë dhe të shohin nga afër punën dhe problemet që ballafaqohen në të ardhmen. Por, një praktikë me orar të plotë dhe që zgjatë disa muaj, është një padrejtësi që u bëhet këtyre studentëve pa një përkrahje financiare simbolike, që sipas praktikave europiane është një veprim shumë normal dhe i zakonshëm. Shembull konkret kemi praktikën e studentëve të Fakultetit të Edukimit në të cilën studentët janë të detyruar të mbajnë praktikë disa mujore përgjatë studimeve. Kjo mënyrë e obligimit të studentëve pa një kompensim material është e padrejtë sepse i obligon ata të jenë të përpiktë dhe të kujdesshëm edhe në kodin etik të veshjes, gjë e cila mundë t’a rëndojë edhe më shumë gjendjen financiare të studentëve. Një rishikim dhe plotësim i ligjit aktual të arsimit, si dhe në bashkëpunim me ministritë tjera, do t’u mundësonte këtyre studentëve të cilën vijojnë një praktikë disa mujore, të përfitojnë materialisht në mënyrë simbolike duke i motivuar si studentë për rezultate më të mira, njëkohësisht kjo pagesë simbolike do t’u shërbente edhe për shpenzimet e tyre bazuar në kodin etik të veshjes që natyrisht u kërkohet sikurse gjithë stafit edukativ arsimor të punësuar në Institucionet Arsimore në Republikën e Kosovës. Nxitja dhe motivimi nëpërmjet pagesave jo në formën e bursave, por si obligime nga ana e shtetit kundrejt obligimeve që ka krijuar ndaj studentëve për përfundimin e kurseve (praktikës) gjatë studimeve, do t’i sillte të mira materiale studentëve gjatë kohës sa janë në studime, lehtësira por gjithsesi edhe ndaj tyre do të kërkohej një përgjegjësi më e madhe gjatë kryerjes së këtij kursi (praktike). Ministria e Arsimit duhet të krijojë alternativa dhe mundësi që studentët e të gjitha niveleve, që gjatë studimeve e kanë obligim praktikën si pjesë e studimeve, t’i financojë nëpërmjet fondeve të veçanta, dhe sipas kategorisë të kërkojë edhe përgjegjësi. Ngritja e cilësisë në nivelet e ndryshme të Arsimit nis nga fillorja, duke shtyrë që (studentët) mësueset dhe mësuesit e ardhshëm të ndjejnë nga afër përgjegjësitë që i presin, por duke shtuar edhe një dozë motivimi për rezultat sa më pozitiv gjatë punës që i pret në të ardhmen. Qeveria dhe MASHT-i, duhet t’a shqyrtojnë një mundësi të tillë, dhe t’i mbështesin studentët në mënyra të ndryshme, e sidomos në fazën e përgatitjes profesionale gjatë praktikës që studentëve u është bërë obligative. Këtë alternativë natyrisht nuk duhet anashkaluar edhe për studentët e profileve të tjera, pasi që përvojat e fituara nga programet dhe praktikat gjatë studimeve u bëjnë dobi të gjithë studentëve, dhe përfituesit e drejtëpërdrejtë janë gjeneratat që vijnë, duke i shtyrë ata drejt një zhvillimi dhe emancipimi si shoqëri.

You Might Also Like