Gjilan

PDK i bënë thirrje publike Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës

Në lidhje me zhvillimet më të fundit në Gjilan, ka reaguar dega e PDK-së në Gjilan, e cila ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit dhe Prokuroria Speciale e Kosovës që të hetojë një pjesë të sistemit të drejtësisë në Gjilan.

Zhvillimet e fundit në Gjilan kanë krijuar situata shqetësuese për mënyrën e ndërhyrjes së politikës, të prirë nga Lutfi Haziri, në punën e pavarur dhe vendimet e sistemit të drejtësisë në Gjilan, që na kanë detyruar t’i bëjmë thirrje publike drejtësisë për të hetuar punën dhe veprimet e një pjese të sistemit të drejtësisë në këtë regjion të Republikës së Kosovës, me elemente ndikimi të politikës e që po i shkaktojnë dëme të mëdha pasurisë së qytetarëve të Gjilanit.

Kjo situatë alarmuese në Gjilan, ka kulmuar me rastin kur ndaj Lutfi Hazirit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për keqpërdorimin dhe dëmin që I ka shkaktuar buxhetit të komunës në vlerë, prej 168 mijë euro, një goditje e rëndë kjo për Lutfi Hazirin, Prokurorinë Themelore në Gjilan, e cila fillimisht për të njëjtin rast kishte mbyllur hetimet ndaj kryetarit të komunës (ashtu siç e kemi bërë të ditur disa herë më parë).

Të gjithë ata të cilët i kanë denoncuar shkeljet ligjore, keqpërdorimet financiare dhe korrupsionin që po e bëjnë zyrtarët e lartë komunal, apo që kanë qenë pengesë për ta, kanë pësuar nga vendimet hakmarrëse politike të këtij sistemi të drejtësisë në Gjilan.

Rasti i arrestimit të ish-drejtorit të Spitalit Regjional në Gjilan, AbdylLatif Latifi, pastaj lirimi tij nga aktakuza, tregon lojën politike të drejtësisë, për të sjell një drejtor të preferuar të Lutfi Hazirit. Pastaj, rasti i ngritjes së aktakuzës ndaj asamblistit të PDK-së Riad Rashiti, dhe më pas tërheqja e aktakuzës ndaj tij, po ashtu, tregon lojën politike të Lutfi Hazirit përmes Prokurorisë Themelore, për të frikësuar dhe për të zmbrapsur të gjithë ata që marrin guximin për të denoncuar krimin urbanistik dhe financiar që po ndodhë në komunën e Gjilanit.

Për arrestimin e djeshëm të përfaqësuesit Austriak në kompaninë “Eko-Higjiena”, dyshojmë në elemente të ndikimit politik në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Përpjekja për rend dhe ligj në këtë Kompani nga menaxhmenti, po I pengon përfaqësuesve të Komunës dhe anëtarëve të Bordit, të cilët po I shfrytëzojnë familjarët e ngushtë të tyre që sot janë prokuror, gjykatës,zyrtarë policorë dhe tjerë të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, për të kthyer anarkinë dhe keqpërdorimet e mëdha që janë bërë në të kaluarën në këtë Kompani.

Konsiderojmë se duhet të jetë alarmuese për të gjitha Institucionet e Kosovës se si një qeverisje komunale po I trajton investitorët e huaj, duke e prishur edhe më tutje imazhin e keq në raport me ta. Kosova ka nevoja tjera – përmirësimin e imazhit me sjellje pozitive ndaj çdo investitori të huaj.

Jo rastësisht, ka ndodhur emërimi në pozita të larta nga ana e kryetarit, të personave me të kaluar inkriminuese në këtë kompani, ndaj të cilëve edhe sot ka aktakuza të ngritura për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe financiare. Pengimi me çdo kusht i realizimit të marrëveshjes së Partneriteti Publiko-Privat, që është përkrahur nga të gjitha subjektet politike në Kuvendin Komunal (përfshirë edhe vet LDK-në), është prioritet i këtyre personave që për vite të tëra e kanë sjell në humnerë këtë kompani, që ishte publike.

Jemi kundër ndërhyrjes së politikës në punën e hetuesisë dhe të vendimeve të drejtësisë,mirëpo në Gjilan,fatkeqësisht po ndodhë e kundërta. Këtu është instaluar fuqia kontrolluese e shumë proceseve të rrezikshme dhe të dëmshme, të udhëhequra nga sistemi I po kësaj qeverisjeje komunale, bizneseve të dyshimta dhe nga një pjesë e sistemit të drejtësisë.

Gjatë qeverisjes së Lutfi Hazirit po ndodh tjetërsimi I pronës publike, uzurpimet, privatizime të dyshimta. Pra, po ndodh shkatërrimi I qytetit nga ndërtimet e egra, keqpërdorime të fondeve, të buxhetit komunal dhe për krejt këto veprime të paligjshme ka një heshtje të hetuesisë në Gjilan. Pse?!

Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me sistemin e drejtësisë për të ofruar të gjitha informacionet tona lidhur me shumë procese, për të cilat ekzistojnë fakte dhe argumente, për të dëshmuar pretendimet tona, për jo-ligjshmërinë e instaluar në qeverisjen komunale, lidhjen e interesave klanore-grupore dhe keqpërdorimet e mëdha që po ndodhin në Gjilan.

You Might Also Like