Sot Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së Partisë, në të cilën u diskutua për aktualitetin politik në vend, përfshirë edhe aktivitetin e Qeverisë.
Në këtë mbledhje, PDK ka marrë vendim që t’i përjashtojë disa anëtarë të saj nga dega në Gjilan për shkak që s’e kanë respektuar një vendim të partisë që lidhet me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.
“Këshilli Drejtues i PDK-së, në mbledhjen e mbajtur më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë kontekst, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, si rezultat i mosrespektimit të këtij vendimi nga disa anëtarë të saj nga Dega në Gjilan, në mbledhjen e sotme ka vendosur që të përjashtojë nga të gjitha strukturat e saj, tre anëtarë: Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin. Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, thuhet në komunikatën e partisë.