Futboll

Përfaqësuesit e LRFGJ-së u pritën nga Agim Ademi, kryetar i FFK-së

Presidenti Agim Ademi priti sot në takim përfaqësuesit e Lidhjes Rajonale të Gjilanit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe zhvillimit të futbollit në nivel rajonal.

Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Naser Ajeti e Agim Nura, presidenti Ademi nënvizoi rëndësinë e Lidhjeve Rajonale për klubet, duke përmendur projektet dhe punimet infrastrukturore si një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të futbollit.

Ai gjithashtu theksoi rolin e bashkëpunimit ndërmjet FFK-së, komunave dhe klubeve, si dhe vuri në pah nevojën bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke në kuadër të masovizimit dhe zhvillimit të futbollit.

I pari i FFK-së shprehu kënaqësinë që tash e dy vjet ua kanë hequr barrën klubeve për lëndimet e futbollistëve, falë partneritetit të suksesshëm të FFK-së me Sigal Uniqa Group. Ai e vlerësoi sigurimin shëndetësor të futbollistëve si një arritje të rëndësishme për komunitetin e futbollit.

Gjithashtu, kreu i FFK-së në këtë takim u përqëndrua edhe në rëndësinë e identifikimit dhe promovimit të talenteve të reja, duke theksuar se çdo talent duhet të ketë mundësi të hyjë në ekipet e përfaqësueseve të Lidhjeve Rajonale.

Ky takim vjen pas konsolidimit dhe zgjedhjes së organeve të reja në rajonin e Gjilanit pak ditë më parë dhe nevojës për bashkërendim të prioriteteve.

You Might Also Like