Ismajl Kurteshi, deputet
Ata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk mund ta hartoj statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në nenin 44 të Kushtetutës së Kosovës , bëhet fjalë për lirinë e asocimit, në pikën 1 të këtij neni thuhet se liria e asocimit është e garantuar… dhe ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të siguroj leje…
Asociacion, sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe do të thotë: Shoqërim.
Sipas fjalorit Oxford Advanced Leanerr’s Dictionary of Current English “association” do të thotë = companionship, që e ka të njëjtin kuptim me atë të gjuhës shqipe.
Nëse Komunat me Shumicë Serbe, vërtet janë të interesuara të “shoqërohen” (ta krijojnë një asociacion të tyre), ato nuk duhet të kërkojnë kompetenca ekzekutive.
A është e nevojshme që këto komuna të kërkojnë me ngulm, madje edhe nga Brukseli, që të ju lejohet asocimim, pasi që Kushtetuta e Kosovës e lejon një gjë të tillë, pa pas nevojë për leje.
Pse Serbia insiston për lejimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur një gjë të tillë e lejon Kushtetuta e Kosovës?
Nëse komunat me shumicë serbe e konsiderojnë të nevojshme që të kërkojnë aprovimin e një organizimi të tillë nga Institucionet e Kosovës, a duhet që kërkesën për ta shpëtuar veriun nga Prishtina t’ia drejtojnë Beogradit?
Këto veprime të ekipit menaxhues për hartimin e statutit të komunave me shumicë serbe dëshmojnë se Serbia synon autonomin e cila qon drejt ndarjes së veriu.
Në Procesverbalin për Asociacion, Kosova quhet “Kosova dhe Metohia”, kjo është dëshmia që vërteton se hartuesit e këtij
procesverbalit nuk e njohin Republikën e Kosovës.
Përmes këtij Procesverbali kërkohen kompetenca tërësisht të pavarura në menaxhimin e mjeteve buxhetore, duke e përfshi edhe prokurimin publik.
Këta hartues kërkojnë themelimin e një kadastre të pavarur në kuadër të asociacionit.
Në këtë dokument parashihet që arsimimi të mbetet nën administrimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, po ashtu kërkojnë edhe pavarësi të plotë në sektorin e Shëndetësisë.
Në kuadër të kërkesave të këtij ekipi është e rëndësishme edhe kërkesa për ndërtimin e vendbanimeve të reja për kthimin e serbëve në Kosovë dhe kompetenca në privatizimin e pronave publike.
Këto kërkesa shkojnë, jo vetëm përtej asociacionit por edhe përtej autonomisë dhe si të tilla nuk mund të pranohen.
Me Serbinë për asociacionin e komunave, që është çështje e brendshme e Kosovës, nuk bënë të negociohet.
Kushdo që e harton Statutin e Asociacionit në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ata që tentojnë ta aprovojnë një statut të tillë e shkelin Kushtetutën e Vendit, kurse shkelja e Kushtetutës është e dënueshme.
Në fund shtrohet pyetja, si është e mundur që Qeveria e Kosovës, hartimin e Statutit të Asociacionit t’ia besoj katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe që nuk e njohin Pavarësinë e Republikës së Kosovës?
Se atyre që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk është dashur t’ju lejohet, ta hartoj statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, është dashur ta di edhe kjo Qeveri.
Gusht 2018