Futboll

Pikët e plota i takojnë Dritës

Drita ka dominuar Malishevën në pjesëlojën e parë dhe me plot meritë ka shkuar në pushim me epërsi prej 1:0.

Vendasit kanë paralajmëruar mysafirët shumë herët, kur pas një harkimi nga e djathta, Rron Broja nga një pozitë shumë e vështirë gjuajti me kokë, por topi është përplasur për tërthorëse. Mirëpo rasti tjetër i volitshëm i tregua në minutën 24, kur pas një gjuajtje në portë, mbrojtësi i Malishevës ndali topin me dorë dhe gjyqtari me plotë të drejtë tregoi në pikën e bardhë.

Besnik Krasniqi gjuajti furishëm në anën e djathtë e portieri Abdullahu i Malishevës shkoi krejt në të majtë për epërsinë e Dritës prej 1:0.

Në minutën 26, Ilir Mustafa i Dritës u lëndua në gju pas një dueli në mesfushë dhe qe i detyruar që të lëshojë lojën për Iliasa Zylfiun. Pjesa e parë u mbyll 1:0 për Dritën.

Rast shumë të mirë pati Drita në minutën 52, kur Besnik Krasniqi nga e djathta ka shërbyer Dabiqajn, i cili nga një pozitë ballore gjuajti për tokë, kurse portieri i Malishevës, Abdullahu shpëtoi gol të sigurt, duke intervenuar me këmbë. Malisheva për pak sa nuk ka barazuar në minutën 55, kur Bruti ka dhënë një gjuajtje dënimi nga rreth 18 metra e topi është devijuar, kurse Maloku me refleks ndali topin që po futej në rrjetë, mysafirët edhe në topin e dëbuar gjuajtën drejt portës, por Mesa e ndali atë.

Drita ka ngritur rezultatin në 2:0 në minutën 59, kur pas një shpërhimi të shkëlqyeshëm të Zylfiut nga e djathta dhe harkimit në brendi, Veton Tusha me një gjuajtje të saktë qëlloi këndin e djathtë të portës mysafire.

Sfida u rihap në minutën 79, kur pas një harkimi nga e djathta të Veliut, Altin Aliu me një goditje volej ka shënuar një gol që rrallë shihet në fushat tona për të ngushtuar rezultatin në 2:1. Deri në fund të dy ekipet u përpoqën që të realizojnë, por rezultati mbeti i pandryshuar./kryelajmi.com/.

You Might Also Like