Naser Ibrahimi, polic i Kosovës për shumëçka është i veçantë. Ai më herët ishte cilësuar si super polici i Kosovës, ngase gjithnjë ka bërë gjëra të jashtëzakonshme.
Ai lahet me borë atëherë kur klima është polare, noton në ujë me orë të tëra pa u ndalë, biçikletës i jep me qindra kilometra, luan në instrumente muzikore, ka dhjeta hite të muzikës rok, kurse e do shumë edhe muzikën popullore, ruan sigurinë për qytetarët, rrjedh nga një familje që ka dhënë
heronj të kombit…
Sa lodhemi kur marrim rrugë për në bregdetin shqiptar, qoftë me makinë apo edhe me autobus, kurse Naser Ibrahimi, ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të shkuar në Shëngjin. Ai i ka hipur biçikletës në Gjilan, është nisur në drejtim të Ferizajt, pastaj në Shtime, Suharekë e Prizren, ka kaluar kufirin Kosovë – Shqipëri dhe është lëshuar rrugës së kombit, ka kaluar Tunelin e Kalimashit dhe është lëshuar në Milot, prej aty ka marrë rrugë në drejtim të Shkodrës dhe është ndalë në vendin e dashur për kosovarët, në Shëngjin, ku gjëja e parë që ka bërë, është larë në bregdetin shqiptar edhe pse në këtë kohë në plazh nuk kishte njeri.
Plot 252 kilometra, Naser Ibrahimi, polic i Kosovës me biçikletë i ka kaluar për 12 orë e gjysmë, duke dëshmuar formën e tij të jashtëzakonshme, gjë për të cilën do t’ia kishin lakmi edhe më të rinjtë.
Ai ishte nisur këtë të marte nga Gjilani, duke u zgjuar në ora 7 e 30 dhe koha ishte e ftohtë dhe kishte kaluar 186 kilometra për 9 orë e 22 minuta dhe aty rreth orës 19 e një çerek ishte ndalë për të fjetur. Të nesërmen bëri edhe 66 kilometra, të cilat i përshkoi për 3 orë e 7 minuta.
“Nuk ka qenë letë, por kam dashur t’ sfidoj veten. Ishte kënaqësi me shkue me biçikletë, me pa njerëz të viseve të ndryshme, me dialekte të ndryshëm, por të gjithë shqiptarë. Unë më herët kam qenë edhe në Tetovë edhe në Presheve e Bujanoc e gjetiu. Më mirë se me biçikletë nuk ka je si në këmbë, ku të duash ndalesh, bisedon me njerëz, bisedon me kë të duash”, thotë Naser Ibrahimi, i cili mendon se këtë rrugë do të mund ta përshkonte brenda një dite, por dita ende është e shkurtër dhe krejt këtë rrugë e bëri për 12 orë e 30 minuta, e tëra në lëvizje.
Naser Ibrahimi bënë pjesë në gjeneratën e parë të Policisë së Kosovës, por ka disa vecori që i ka rrallëkush. Sa më shumë vite që bënë, ai aq herë e noton pa u ndalë pishinën e Uglarit dhe ky superpolic po i afrohet të gjashtëdhejatave. Larjen me borë e ka specialitet edhe atë në mes të janarit, ka të incizuara 12 këngë të incizuara ne Radio Gjilani, kënga më e dëgjuar e tij “Besa” edhe sot pëlqehet me ëndje. Në vitin 1983 u paraqit në RTP në emisionin “Në orët e Vona” dhe po atë vit bleu flautën e parë private në Gjilan, e nisi të luaj edhe në klaviaturë e kontrabas. Ai prej se kishte arritur moshën e pjekurisë ishte anëtar i disa Shoqërive Kulturore e Artistike si: SHKA “Zenel Hajdini” në Gjilan, “Punëtori”, “ Integj”, SHKAA “Ramiz Sadiku” Prishtinë e AKV “Gjilani”, kurse ishte edhe pjesë e disa rok grupeve gjilanase si “Golden Boys”, “ Mbledhësit e Luleve”, “Fenix” dhe “Eufonia”. I tërë ky aktivitet nuk e pengoi që të kryej edhe Shkollën e Lartë të Makinerisë, kurse menjëherë pas luftës e veshi uniformën e policit, që në gjeneratën e parë të SHPK-së, duke qenë zëdhënës rajonal i policisë për tetë vite me radhë.
“Gjithmonë e kam dashur natyrën, bukurinë e trojeve shqiptare, andaj jam i lidhur me të si në verë, ashtu edhe në dimër. E për t’a shijuar atë m’a ka mundësuar edhe profesioni i policit, ngase për një kohë kam punuar edhe në Novobërdë, vend me natyrë të mrekullueshme e tashti edhe në Malet e Karadakut në Stacionin e Zhegrës”, thotë polici Naser Ibrahimi, që është pjesëtar i një familjeje që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës, ngase vëllai i tij, majori i karrierës Muharrem Ibrahimi, heroikisht kishte rënë në luftë në përballje me okupatorin.