Gjilan, 18 shtator / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-buxhetin për vitin 2019 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2020-2021, propozim-planin rregullues për zonat “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, propozim-vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjet “Tregu”, Stacioni i Autobusëve si dhe kompaninë “Ecohigjiena”, për pjesën publike KRM “Higjiena”, propozim-vendimin për ndarjen e lokacionit për fushë sintetike për KF “Gjilani” sikurse edhe rishikimin e vendimit për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Komunitete, sipas udhëzimit të MAPL-së, informatën për fillimin e vitit të ri shkollor, me kërkesën e opozitës që ajo të plotësohet edhe me raportin për përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 si dhe raportin për korrje-shirje.
KPF i ka hequr nga rendi i ditës kërkesat e Radio-Gjilanit dhe OJQ “Soliteri” për mbështetje financiare, meqë, siç u tha, ekzistojnë procedura të tjera për ndarjen e subvencioneve.
Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka thënë se buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin fiskal 2019, sipas qarkores buxhetore, do të jetë 25.508.785 euro. Nga granti i qeverisë do të sigurohet shuma prej 21.042.901 euro, kurse pjesa tjetër prej 4.465.884 euro, nga të hyrat vetanake. Mbi 60 për qind e këtij buxheti do të shpenzohet për paga, mbi 14 për qind për mallra dhe shërbime, rreth 3 për qind për shpenzime komunale, rreth 2.5 për qind për subvencione, derisa pjesa tjetër prej afër 20 për qind (mbi 5 milionë) – për investime kapitale.
Maliqi ka thënë se janë mbajtur dhjetë dëgjimore buxhetore, ku janë marrë nevojat e qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë dhe ato janë përfshirë në draft-buxhet. Ai është përgjigjur edhe në pyetjet e Arijeta Rexhepit, Ibish Ibishit, Hevxi Xhelilit dhe të tjerëve, rreth ndarjes së buxhetit, ndërkaq sa i përket vërejtjes së Riza Abdylit, Nevzat Isufit dhe Ibish Ibishit, Mimoza Kadriut, rreth interesimit të vogël të publikut për të marrë pjesë në këto dëgjime, për faktin se kërkesat nuk po merren parasysh, Maliqi ka thënë se në dëgjime buxhetore vijnë persona përfaqësues dhe se ato nuk janë tubime me qytetarë.
Sipas opozitës, dëgjimet buxhetore kanë qenë të dështuara, derisa Avdyl Aliu ka thënë se ne qeverisim sipas ofertës sonë dhe jo sipas modeleve të të tjerëve.
Përndryshe, kryesuesja Kurteshi-Emini, ka thënë se një debat më i gjerë për propozim-buxhetin do të zhvillohet në Kuvend Komunal
Sa i përket informatës së për fillimin e vitit të ri shkollor, Nevzat Isufi ka kërkuar që ajo të plotësohet edhe me raportin për përfundimin e vitit paraprak shkollor.