Sportet me dorë

Qyteti i Gjilanit ka kampionë në Beach Volley, por nuk ka fushë me rërë

Ca kamionë me rërë të imtë, një rrjetë e disa elemente të volejbollit do të mjaftonin që edhe Gjilani të bëhet me një fushë volejbolli me rërë. Edhe hapësirë ka, bile një fushë e tillë do të mund të bëhej edhe skaj Palestrës së Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, shkruan kryelajmi.com

Gjilani ka nevojë edhe për objekte të tjera sportive, por gjithsesi se investim më i nevojshëm do të ishte sporti në të cilin kemi kampionë. Çifti Ermal Maliqi dhe Erion Bajrami, të prirë nga trajneri i tyre Fatlum Hajrizi janë kampionë të Kosovës në Beach Volley, por ky çift e lojtarë të tjerë nuk kanë ku të stërvitin e të luajnë, ngase një fushë e tillë me rërë në Gjilan nuk ekziston. Edhe në konkurrencën e femrave së paku kishim nënkampionë në Beach Volley e mos të flasim për ekipet e volejbollit si te femrat e ashtu edhe tek meshkujt që për vite të tëra janë më të mirët në Kosovë.

Është për të ardhur keq teksa i sheh kampionët e Kosovës dhe trajnerin e tyre duke pritur autobusin për të shkuar e për të ushtruar në Prishtinë, ngase në Gjilan nuk ka një fushë të tillë, e cila kushton më pak se harxhimet e një ndeshjeje të futbollit.

Dyshja Maliqi – Bajrami do t’a përfaqësojë Kosovën në garën evropiane që do të luhet në Bullgari e volejbolli në rërë për dallim nga ai në palestër është pak më ndryshe, me specifika më të veçanta, andaj duhet ndërmarrë diç në këtë drejtim./kryelajmi.com/.

You Might Also Like