Futboll

Rrebesh golash në ballafaqimin Drita – Liria

Në ballafaqimin ndërmjet Dritës dhe Lirisë, të luajtur këtë të shtunë janë shënuar shtatë gola, kurse goli i fundit i shënuar më shumë ka gëzuar tifozët vendas, ngase Drita ka ngadhënjyer me rezultat 4:3.

Bekim Isufi, që është rikthyer në stolin e Dritës, pa dorëheqjes së Milaim Zuzakut, ka startuar me fitore, te e cila u arrit mjaft vështirë.

Vendasit kanë ardhë në epërsi në minutën 11, kur Bujar Shabani ka shfrytëzuar gabimin e portierit mysafir dhe nga afërsia ka shënuar.

Rezultati është dyfishuar në minutën 42, kur Xhevdet Shabani ka paraboluar portierin mysafir Bakaj, kurse prizrenasit në fund kanë zbutur epërsinë nëpërmjet Sopajt, që ka qëlluar këndin e epërm të portës së Dritës.

Drita i është kthyer epërsisë prej dy golave kur për ta është dhënë penalti, pasi Domagjoni kishte prekur topin me dorë në brendi. Gërbeshi ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë.

Prizrenasit sërish kanë ngushtuar rezultatin, kur në minutën 81 kanë shënuar nëpërmjet Meganit dhe ky gol u dha krah dhe nuk kanë kaluar sa tre minuta kur e kanë barazuar në 3:3 dhe sërish shënoi Megani.

U duk se kjo ndeshje do të përfundoj pa fitues, por kur kishin kaluar tre minuta të lojës shtesë, pas harkimit të Xhevdet Shabanit, Elton Basriu futi topin në portën e vet për rezultatin përfundimtar 4:3.

You Might Also Like