Gjilan

Sa rrezikohet Gjilani nga tërmetet në të ardhmen?

Gjilani si rajon ka një shkallë të theksuar të ndjeshmërisë ndaj tërmeteve. Tërmeti i fundit këtu ka ndodhur më 24 prill të vitit 2002 dhe, sipas vlerësimit të sizmologëve, një i tillë mund të përsëritet pas afër 80 vitesh.

Profesori i Institutit Sizmologjik nga Tirana, Shyqri Aliaj, kishte thënë asokohe se rajoni i Gjilanit ka shkallë të lartë të rrezikshmërisë nga tërmetet, por që për të ndodhur një lëkundje më e fortë e tokës, sikur ajo e vitit 2002, duhet do të kalojnë shumë vite, derisa të akumulohet energjia.

Sipas tij, një lëkundje e fortë e tokës, sikur ajo që ndodhi më 24 prill 2002, ku humbi jetën një person, u lënduan disa të tjerë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, mund të përsëritet pas 80 vitesh.

Profesori Aliaj dhe bashkëpunëtorët e tij kishin qëndruar në Gjilan për disa ditë, për të hulumtuar gjendjen seizmologjike të këtij rajoni, ku sipas të dhënave të Institutit të Tiranës, një tërmet me fuqi prej 9 ballësh të Merkalit, kishte ndodhur në vitin 1755.

Pavarësisht se dridhjet e tokës mund të ndodhin shumë rrallë, shkalla e rrezikshmërisë duhet të merret parasysh nga ekspertët gjatë projektimit dhe ndërtimit të objekteve të larta. Respektimi i standardeve ndërtimore në kushtet e ndjeshmërisë sizmike, është masë e domosdoshme.

Sipas analizës së tyre, Gjilani nuk rrezikohet nga ndonjë tërmet i fuqishëm në 60 vitet e ardhshme, duke llogaritur se nga prilli 2002, kanë kaluar 20 vite. Ilmi MUSLIU.

You Might Also Like