Me rastin e ditës së shkollës, sot janë mbajtur manifestime në Sllatinë të Epërme dhe në Viti, me që rast janë përkujtuar edhe dëshmorët, emrat e të cilëve i mbajnë këto dy shkolla. Fillimisht në Sllatinë të Epërme është shënuar Dita e shkollës dhe u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi, ku edhe u dha një program i pasur artistik i përgatitur nga nxënësit dhe arsimtarët e kësaj shkolle. Një historik të shkurtër për të arriturat në këtë shkollë, foli drejtori Asllan Fana, kurse biografin e dëshmorit Njazi Rexhepi e lexoi arsimtari Xhevdet Llulleci. Në fjalën e rastit kryetari i komunës Sokol Haliti tha se ndjehet i nderuar që sot është këtu për të shënuar një datë të veçantë që ka për qëllim dy ngjarje me rëndësi e që ndërlidhen mes vete. “Manifestim i përvjetorit të shkollës ku gërshetohet të arriturat dhe rezultatet e këtij institucioni shkollor, si dhe përvjetorin e lavdisë dhe krenarisë në 19 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit Nijazi Rexhepit. Ky moment i krenarisë, na e kujton Njaziun si një luftëtarë të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me luftën dhe aktivitetin e tij prej strategu e luftëtari të madh të lirisë, u radhit në mesin e të përjetshmëve. Suksesi dhe rezultatet e mira të shkollës Njazi Rexhepi në Sllatinë, madhështojnë veprën dhe amanetin e dëshmorit , emrin e të cilit mban, por edhe gjithë dëshmorëve të kombit, të cilët me luftën dhe me rënien e tyre, u bënë themeli i luftës dhe i lirisë së Kosovës dhe simbol i lirisë së gjithë shqiptarëve. Ne do të jemi pranë jush dhe së bashku do të arrijmë synimet tona për ngritjen e kualitetit në arsimimin e brezave të rinj, prandaj shfrytëzoj rastin që të ju uroj ditën e shkollës juve nxënës të respektuar, personel arsimor dhe drejtori e shkollës, me dëshirën që sukseset të mos mungojnë në të ardhmen”, tha Haliti. Edhe shkolla e mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu”, shënoi ditën e shkollës. Historikun e kësaj shkolle, rezultatet e të arriturat, si dhe për biografin e dëshmorit Jonuz Zejnullahu, foli drejtori i shkollës Nijazi Lutfiu. “Kjo shkollë po shënon 10 vjetorin e marrjes së emrit Jonuz Zejnullahu, por edhe 19 vetorin e rënies së tij. Jonuzi ka lënë detyrën e shërbyesit fetar të imamit për të ju bashkangjitur luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku edhe bie si dëshmor”, tha ai. Ndër tjerash drejtori Lutfiu ka folur edhe për këtë institucion shkollor në të cilën ofrohen mbi 17 profile të ndryshme arsimore. Kurse në një fjalë rasti u paraqit edhe Abdyl Bajrami, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Viti i cili e çmoj lartë kontributin e dëshmorit Jonuz Zejnullahu për lirinë e vendit. Ndërsa në fjalën e rastit, kryetari i komunës Sokol Haliti tha se duke nderuar kujtimin e dëshmorëve dhe të rënëve për liri, kryejmë një obligim moral dhe e forcojmë edhe më shumë lidhjen me të kaluarën e lavdishme, e cila është bazament në të cilin do të mbështetemi kurdoherë. “Ne jemi të vetëdijshëm se Arsimi është investim kombëtar dhe si i tillë është i rëndësishëm për të gjithë, prandaj “kapitali më i vlefshëm është ai që investohet në njeriun. Andaj uroj që sukseset në këtë Institucion të mos mungojnë, duke dalur kuadro profesionale, që do të kontribuojnë sendërtimit të vendit , po sikur luftëtarët si Jonuz Zejnullahu që i falën jetën atdheut”, tha Haliti. Gjithashtu në shënimin e ditës së këtyre dy shkollave, u ndanë edhe lëvdata dhe mirënjohje për nxënësit e dalluar.