OPINION

Shtëpia me inati nuk mbahet

                            Shtëpia me inati nuk mbahet

                 Askush, me asgjë, nuk mund ta arsyetojë mbajtjen peng të Kosovës.

    Ka kaluar shumë kohë që Kosova është bërë sy e vesh, qytetarët po presin me padurim marrëveshjen që është dashur të arrihet kaherë, nga ata që e fituan besimin e qytetarëve që ta udhëheqin vendin.

   Vendi nuk udhëhiqet duke e bllokuar atë, as duke u munduar që njëra palë ta mund palën tjetrën.

            Se Kosova pa institucione stabile, jo vetëm se nuk fiton por humb jashtëzakonisht shumë, këtë e din pothuajse të gjithë.

            Se ata që e morën besimin që ta udhëheqin vendin, nuk po e kuptojnë se janë të obliguar të angazhohen që t’i ndërtojnë institucionet e jo ta bllokojnë formimin e tyre, tani më është evidente.

Se a mund të arrihet marrëveshja, për ndërtimin e institucioneve, me akuza të ndërsjella e pa u ulë me gjet zgjidhje? Përgjigjen e kemi nxjerrë nga përvoja e dy viteve të fundit.

            Ajo që duhet bërë, e ka thënë shkurt e qartë, këto ditë në një postim, ish ministri Armend Meha, ai përveç tjerash thotë: “…duhet të dimë të ulemi në një tryezë, të flasim, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë rrugën e përbashkët …” Atë që e tha Armendi po e kërkon populli.

Siç po shihet dalja nga kriza  është e thjeshtë. Por as gjërat e thjeshta nuk mund të arrihen kur mungon vullneti.

Vullneti mungon jo se udhëheqësit nuk e duan Kosovën, por se inatin dhe lakminë i kanë më të mëdha se vullnetin.

   Populli nga përvoja e tij e gjatë e ka mësuar se: “Shpia me inati nuk mahet, se e kojtmja të korit, besa edhe të fikë”.

   Ata që e duan Kosovën duhet  t’i lënë anash edhe lakminë  edhe inatet, sepse asgjë më e madhe sa dashuria për Kosovën nuk bënë të jetë.

  Vendit i duhet një marrëveshje nga e cila fiton Kosova.

 Kur është në pyetje interesi i Kosova, jemi të obliguar të gjithë bashkë të jemi.

 Ata që nuk mund të bëhen bashkë, për hir të interesave të Kosovës, nuk e kanë vendin në parinë e Kosovës.

Askush, me asgjë, nuk mund ta arsyetojë mbajtjen peng të Kosovës.

As inatet, as lakmia por marrëveshja është zgjidhja.

 Ismajl Kurteshi, gusht 2026

You Might Also Like