Shkruan: Arbëresha Aliu –
Si asnjëherë më parë më erdhi dëshira që t’i ndaj këto rreshta me të gjithë ju, e sidomos me gjininë femërore pas lajmit që morëm nga Kryetari i Komunës së Gjilanit;z. Lutfi Haziri i cili arriti të nënshkruajë projektin ”Gratë në punën online” së bashku me USAID-in në Kosovë.
Gruaja në rrugëtimin e saj jetësor mos mendoni se “HESHTI”se ishte natyrë frikacake dhe se nuk dinte të ballafaqohej me vështirësitë që i krijoheshin. Ajo gjithmonë futej në labirinthe nga më të ndryshmet vetëm që zëri i saj të mos dëgjohej para burrave “odëtarë”. Por ishte ajo e cila gjithmonë pati guximin të hy në këto labirinthe dhe të gjejë daljen e të gjitha vështirësive që pati. Ajo gjithmonë pat dijen për të rregulluar dhe udhëhequr një shtëpi,për të edukuar fëmijët e saj dhe për të marrë iniciativa jetësore edhe të formës së përgjithshme.
Të gjitha këto, çuditërisht njerëzit që i kishin pranë, nuk donin se i prishej “burrëria”, të pranonin vendin e saj pranë tyre edhe duke ditur se ato ishin të zonja në vendim marrje.
Por sot falë sakrificës së saj, vendosmërisë se rrugëtimi i tyre duhet të jetë kryesor, luftuan që të jenë shembull i shoqërisë dhe përfaqësim i denjë në integrim të vendit.
Nga ana tjetër, në këtë shoqëri të sotme demokratike thënë të drejtën aty këtu hasen ende mëdyshje për femrën si qenie njerëzore në përgjithësi edhe nga vet ajo duke krijuar një mosbesim në vetvete të qet zërin e saj, të udhëheqë dhe të merr poste politike. Kjo ndodh për një apo tjetrën arsye që ajo të rri në guacën e krijuar vet dhe sikur nuk do të dalë nga ajo. Ndoshta me dhimbje po e them, i vjen më lehtë t’i bëjë punët e shtëpisë duke mos e shfrytëzuar zgjuarsinë e vet.
Andaj: vajza, gra si shtylla kryesore që jeni e shtëpisë dhe e shoqërisë, ecni rrugës ku do të jeni të barabarta me të gjithë dhe mos lejoni imponimin e dikujt tjetër në jetën tuaj.
Shoqëria njerëzore po bënë hapa të sigurt që ju të përfaqësoheni në mënyrë dinjitoze në jetën shoqërore, si në arsim, prodhim dhe në krijimin e aktiviteteve të ndryshme. Ne asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi para sfidave që na jep jeta dhe, ky projekt si dhe shumë të tjera që i kemi pasur dhe besoj edhe shumë të tjera që do të vinë,do të na sforcojnë edhe më shumë vendosmërinë tonë dhe mençurinë që kemi në arritjet tona.
Nuk na mbetet tjetër; vetëm të punojmë, të japim shembull dhe fjalë vendimtare për këtë shoqëri, t’i themi të gjithëve se vlera jonë është vlerë e një qenie njerëzore sepse dëshiron të ketë vendin e saj të merituar. Punë të mbarë dhe jetë dinjitoze për gjininë tone.